Një aksident tragjik është regjistruar të premten në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara, ku dy parashutistë kanë humbur jetën pasi u përplasën me njëri-tjetrin në ajër gjatë një hedhjeje me parashutë.
Ngjarja ndodhi pranë Liqenit Elsinore, në një lartësi prej rreth 45 metrash, në momentin kur dy sportistët po përgatiteshin të uleshin. Pas përplasjes, parashutat e tyre u ngatërruan, duke bërë që të dy të pësonin lëndime fatale.
Sipas raportimit të “The New York Times”, të dy parashutistët u transportuan me urgjencë në spital, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, nuk arritën t’u mbijetonin plagëve të marra.
Një zëdhënës i kompanisë Skydive Elsinore bëri të ditur se aksidenti ndodhi gjatë një kampi trajnimi për gratë, të organizuar nga kjo kompani.
Ndërkohë, identitetet e viktimave nuk janë bërë ende publike.
Deirdre Vickers, zëdhënëse e Zyrës së Sherifit të Qarkut Riverside, konfirmoi se rasti është nën hetim, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e sakta të aksidentit.

