Një 60-vjeçar nga Gostivari dyshohet se për një periudhë të gjatë kohore e ka detyruar nënën e tij 80-vjeçare, e cila lëviz me karrocë invalidore, të lypte në rrugë, ndërsa paratë e siguruara ia merrte për nevojat e tij.

Sipas njoftimit të policisë, më 6 nëntor 2026, Njësiti Kombëtar për Shtypjen e Kontrabandimit të Emigrantëve dhe Trafikimit me Njerëz ka ngritur kallëzim penal ndaj personit me inicialet N.N. (60), nga Gostivari, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Trafikim me njerëz”.


Nga hetimet dyshohet se gjatë viteve 2025 dhe 2026, i dyshuari ka shfrytëzuar gjendjen e rënduar shëndetësore dhe varësinë e nënës së tij, e cila për shkak të paaftësisë fizike nuk mund t’i kryejë në mënyrë të pavarur aktivitetet e përditshme.

Sipas policisë, ai e dërgonte vazhdimisht të moshuarën në një lokacion në Gostivar, ku e detyronte të lypte. Gjatë kësaj kohe qëndronte pranë saj, duke e mbikëqyrur dhe kontrolluar, ndërsa më pas dyshohet se në mënyrë të dhunshme ia merrte paratë e mbledhura dhe i përdorte për nevojat e veta.

Me urdhër të Gjykatës Themelore Penale në Shkup, policia ka kryer bastisje në shtëpinë dhe ambientet e tjera të të dyshuarit në Gostivar, ku ai është privuar nga liria.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar përkohësisht telefona celularë dhe para, për të cilat dyshohet se burojnë nga kryerja e veprës penale.

Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente.