Instituti i Ndërtimit ka dorëzuar raportin paraprak të vlerësimit të pallatit të shkatërruar nga shpërthimi në Elbasan.
Nisur nga rreziku shumë i madh i shembjes së pjesëve të ndryshme të ndërtesës, ekspertët kërkojnë ndalimin e përdorimit të godinës.
Deri në përfundimin e akt-ekspertizës së thelluar dhe përcaktimin e nivelit të sigurisë konstruktive të objektit, thuhet në shkresën e Institutit të Ndërtimit, rekomandohet ndalimi i përdorimit të godinës dhe kufizimi i aksesit në të, si dhe marrja e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë së banorëve dhe personave përreth, në bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse.
Inxhinierët thonë se objekti ka pësuar dëmtime të konsiderueshme si pasojë e shpërthimit dhe zjarrit, të cilat kanë prekur elemente konstruktive dhe jokonstruktive të ndërtesës.
Soleta e katit të 5-të, mbi zonën ku ka ndodhur shpërthimi, rrezikon shembjen nga momenti në moment.
Gjendja e konstatuar paraqet rrezik potencial për sigurinë e banorëve, thonë ekspertët, dhe të personave që mund të qëndrojnë brenda ose pranë objektit.
Instituti i Ndërtimit rekomandon përcaktimin dhe zbatimin e një perimetri sigurie 20 m-30 m, si dhe marrjen e masave të nevojshme për shmangien e rënies së elementeve të dëmtuara.
Aktualisht janë duke u kryer akt-ekspertizat e thelluara, të cilat përfshijnë investigimet konstruktive, testimet laboratorike të materialeve dhe analizat përkatëse për vlerësimin e aftësisë mbajtëse dhe qëndrueshmërisë së objektit./ Top Channel













