Misteri i vdekjes së Urim Fikut në Bulqizë, nënë e bir para gjykatës, grupi hetimor ngre tjetër pistë për vrasjen
Rrethanat e vdekjes së 62 vjeçarit Urim Fiku në datën 3 Nëntor në fshatin Godvi të Bulqizës vijojnë të mbeten një mister.
Nënë e bir, dolën një ditë më parë para gjykatës së Dibrës dhe nuk pranuan autorësinë e krimit, duke deklaruar se Urimi ishte sulmuar nga një kafshë e egër dhe në kushtet e tronditjes së rëndë kishte qëlluan veten me pistoletë në oborrin e banesës.
Por ky version nuk e ka bindur gjykatën e cila vendosi të lërë në arrest me burg nënë e bir, Sadete e Gazmir Fikun si të vetmit autor të dyshuar deri tani për krimin e rëndë.
Mësohet se hetuesit janë rikthyer në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë kërkime në zonë.
Në një distancë 500-600 metra larg banesës janë gjetur edhe disa gëzhoja të tjera të cilat dyshohet se i përkasin të njëjtës armë zjarri që u gjet në oborrin e banesës ditën e ngjarjes.
Kjo ka çuar hetimet në tjetër drejtim ku dyshohet se 62-vjeçari mund të jetë ndjekur nga larg dhe të jetë shtënë disa herë drejt tij, ndërsa plumbin fatal e ka marrë në oborrin e banesës.
Gëzhojat e gjetura së fundmi janë dërguar pranë policisë shkencore në Tiranë e cila do të përcaktojë nëse i përkasin së njëjtës armë zjarri pistoletë tip TT.
Dëshmitë e dhëna nga nënë e bir kanë qenë të ndryshme deri tani ku fillimisht deklaruan se Urimi ishte përleshur me një kafshë të egër (Ari) ku si pasojë kishte humbur jetën, ndërsa më pas deklaruan se ai kishte shkuar pranë banesës i dëmtuar nga kafsha e egër dhe në kushtet e tronditjes kishte marrë armën e zjarrit pistoletë e kishte qëlluar veten.
Po ashtu, mësohet se djali i Urimit, Gazmir Fiku kishte deklaruar se në kohën e ngjarjes ndodhej në Bulqizë, në zyrën e tij ku punon si përgjegjës së një sektori në OSHEE.
/vizionplus.tv




