Resorti luksoz “Ajman Park” në Xhafzotaj, vila 1 milion euroshe në Dhërmi, agroturizmi “Solis Farm” në Baldushk dhe 25 automjete janë mes pasurive të sekuestruara në kuadër të hetimeve për organizatën kriminale të drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela.
Sipas SPAK, pasuritë e vendosura nën sekuestro kapin vlerën e rreth 9 milionë eurove dhe përfshijnë prona të paluajtshme, biznese, automjete dhe shuma parash.
Franc Çopjas iu sekuestruan 100% e kuotave të kompanisë “Check Company”, si dhe 25 automjete në pronësi të saj, të vlerësuara në rreth 70 milionë lekë.
Ndërkohë, Fadil Ballës iu sekuestruan resorti “Ajman Park” në Xhafzotaj të Durrësit, ku janë investuar rreth 463 milionë lekë, si dhe një vilë dykatëshe në kompleksin “Ionian Olea” në Dhërmi, me vlerë tregu rreth 1 milion euro.
Në emër të Albin Çelës u vendosën nën sekuestro gjashtë prona në Sharrë të Tiranës, mes tyre hapësira me kapanone industriale dhe ndërtesa tregtare, si dhe një vilë e porositur pranë kompanisë “NG Structures”. Riza Çelës iu sekuestrua gjithashtu një arë me sipërfaqe 5.900 metra katrorë.
Sipas ekspertimeve, Albin dhe Riza Çela kanë investuar mbi 50 milionë lekë për blerjen e tokave, ndërsa ndërtimi i katër objekteve mbi to ka kushtuar më shumë se 1,2 milionë euro.
Në listën e pasurive të sekuestruara është edhe agroturizmi “Solis Farm” në Mumajes të Baldushkut. Masa përfshin të gjitha kuotat e biznesit, dy prona, godinën e restorantit, si dhe pajisjet dhe orenditë e tij.
SPAK bëri me dije se gjatë operacionit janë sekuestruar gjithashtu 130 mijë euro cash, automjete të tjera dhe sende me vlerë.
Në total, pasuritë e sekuestruara vlerësohen rreth 9 milionë euro dhe lidhen me hetimet për trafikun ndërkombëtar të kokainës, ku në qendër të dosjes janë Franc Çopja dhe Ervis Çela.

