Andi Mustafaji, një nga të rinjtë në PD, kishte shkruar sot mbi një “narrativë të imponuar” lidhur me kërkesat publike për largimin e Sali Berishës nga drejtimi i PD-së.
Arsyetimi i Andit është i drejtë. Askush nuk ka të drejtë t’i imponojë një partie se kë duhet të ketë kryetar.
“Ne nuk kërkojmë largimin e Ramës si kryetar i PS-së, por si kryeministër. Atëherë, pse kërkojnë të tjerët largimin e Berishës?”, pyet ai me të drejtë.
“Vetëm pushteti vendos mbi jetën time”, thotë ai. “Një parti në opozitë nuk vendos asgjë mbi askënd”. Edhe unë kështu mendoj.
I dashur Andi!
Unë jam një nga ata që publikisht kam kërkuar, më shumë se shumë herë, tërheqjen e Berishës. Jo si kryetar i partisë, por, si pasojë e kësaj, si kandidat për kryeministër.
Si kryetar partie, ai nuk më intereson, pasi unë nuk jam anëtar i PD-së. Por si pretendent për kryeministër, po. Kryetari është i juaji, kryeministri i të gjithëve.
Unë kërkoj dorëheqjen e Ramës si kryeministër, por jo si kryetar partie, pasi pas dorëheqjes nga detyra e kryeministrit ai nuk do të ishte më një kandidat për kryeministër. Të paktën për ca kohë.
Berisha si kryetar partie sot, më intereson po aq sa të gjithë kryetarët e 170 partive të tjera. Por Berisha si kandidat potencial për kryeministër më intereson. Dhe kur “narrativa publike” kërkon largimin e Berishës, ka parasysh Berishën si kandidat për kryeministër.
-Disa, sepse nuk e duan sërish Berishën kryeministër.
-Disa të tjerë, sepse mendojnë se, duke qenë ai kandidat për kryeministër, PD vjen dot në pushtet, duke i shërbyer kështu indirekt Ramës.
Unë vetë bëj pjesë në të dyja grupet. Dhe mendoj se kjo duhet t’ju shqetësojë edhe juve aty në PD. Ju të rinjve të paktën. Ju mund të ndiheni mirë në opozitë. Por vendi dhe shoqëria kanë nevojë ulëritëse për ndryshime të thella. /Nga Mentor KIKIA, publikuar në Facebook/




