Ergys Agasi lëvizte i lirë në vilën e ruajtur nga Garda edhe kur ishte në kërkim të SPAK
Kamarieri që i siguronte arratinë dhe i mbante çelësat
Zbardhen lëvizjet gjatë arratisë
Edhe pse ishte shpallur në kërkim nga SPAK, Ergys Agasi dyshohet se vijonte të lëvizte në Durrës dhe të frekuentonte vilën e tij në zonën e Vilave Qeveritare, një kompleks që ruhet nga Garda e Republikës. Detajet e lëvizjeve të tij gjatë periudhës së arratisë dalin nga komunikimet e administruara në dosjen hetimore, ku në vëmendje të prokurorëve është edhe roli i Embro Sulejmanit.
Ky i fundit, i njohur si kamarier, dyshohet se nuk ka qenë thjesht një person që i ka ofruar ndihmë rastësore Agasit. Sipas SPAK, ai ka marrë përsipër koordinimin e lëvizjeve të tij me automjet, komunikimin për vendndodhjen dhe oraret, si dhe kontrollin e hyrje-daljeve në zonën ku ndodhej vila.
Në dosje përshkruhen komunikime të zhvilluara mes 24 dhe 26 gushtit 2026, periudhë gjatë së cilës Agasi ishte në kërkim të drejtësisë.
SPAK: Kontrollonte hyrjet dhe daljet në vilat qeveritare
Prokurorët i referohen mesazheve të shkëmbyera mes dy personave, nga të cilat, sipas tyre, rezulton se Sulejmani e ndihmonte Agasin të lëvizte në qytetin e Durrësit pa u kapur nga autoritetet.
Në dosje thuhet:
“Nga përmbajtja e mesazheve të datave 24 – 26.08.2026 rezulton se Embro Sulejmani i ka shërbyer Ergys Agasit për lëvizjen e tij me mjet në qytetin e Durrësit, gjatë kohës që ishte i shpallur në kërkim, duke koordinuar me të vendndodhjen, orarin dhe mënyrën e lëvizjes, si dhe duke kontrolluar hyrje-daljet në zonën e Vilave Qeveritare në Durrës, ku Z. Ergys Agasi zotëron një vilë të ruajtur nga Garda e Republikës”.
Sipas SPAK, këto komunikime tregojnë një mbështetje të vazhdueshme dhe të organizuar, e cila dyshohet se i ka mundësuar Agasit të kryente lëvizjet e tij gjatë kohës që ishte në kërkim.
Biseda pas arrestimit: “U lehtësova që nuk më kapi edhe mua”
Një tjetër element që përmendet në dosje është një komunikim i përgjuar më 26 gusht 2026, në orën 21:26, disa orë pas arrestimit të Ergys Agasit.
Sipas interpretimit të hetuesve, gjatë kësaj bisede Sulejmani pranon në mënyrë të tërthortë se e kishte transportuar Agasin me automjet kur ky i fundit ishte në kërkim. Në komunikim, ai shpreh lehtësim që nuk ishte kapur edhe vetë bashkë me të.
Hetimi ka zbuluar gjithashtu se marrëdhënia mes tyre nuk kufizohej vetëm te transporti. Nga këqyrja e telefonit të Sulejmanit, prokurorët kanë konstatuar se ai dispononte edhe çelësin e një ambienti ku qëndronte Agasi.
“Jepi gaz siç i bie me mua”, Agasi i kërkonte të hapte derën
Në një prej bisedave të administruara nga hetimi, Agasi i kërkon Sulejmanit të hapë një ambient dhe t’i dërgojë çelësin, ndërsa vetë njofton se do të nisej nga Laçi.
Komunikimi, sipas dosjes, tregon se Agasi priste edhe praninë e një personi tjetër në të njëjtin ambient, ndërsa shfaqte shqetësim për mbërritjen e tij.
Në dokumentet hetimore përshkruhet edhe mënyra urgjente me të cilën Agasi i kërkonte kamarierit të vepronte:
“Agasi i ka kërkuar që t’ia hapë dhe t’i çojë çelësin, ndërsa do nisej nga Laçi. Nga komunikimet duket se Agasi priste që të shkonte edhe dikush tjetër në të njëjtin ambient, pasi shfaq shqetësimin që ai ‘robi’. Agasi i kërkon Sulejmanit që të nxitojë dhe përdor shprehjen ‘jepi gaz siç i bie me mua’, ‘se ke trafik’, ‘hap derën e ik’”.
Në një moment tjetër, Agasi i shkruan sërish dhe i kërkon të shkojë për të marrë çelësin. Në një tjetër mesazh, Sulejmani i drejtohet me fjalët: “Kapo, duhet gjë?”
Sulejmani jashtë qelisë, por me masa sigurie
Embro Sulejmani është liruar nga burgu dhe aktualisht ndaj tij janë caktuar masat e sigurisë “ndalim për të dalë jashtë vendit” dhe “detyrim për paraqitje”. Sipas të dhënave të bëra publike, vendimi është marrë duke marrë parasysh edhe rrethanat e tij familjare, pasi bashkëshortja është shtatzënë dhe prindërit e tij kanë probleme shëndetësore.
Ndërkohë, në të njëjtën çështje, për lidhjet e dyshuara me Ergys Agasin, ish-drejtoresha e SHISH-it, Vlora Hyseni, ndodhet në arrest shtëpie. Në burg është edhe Fation Kalluçi, ish-shef i laboratorit kriminalistik.
Në momentin e arrestimit të Agasit është kapur edhe Ulian Shpataraku, ish-zyrtar i lartë i Policisë.
Komunikimet e zbardhura nga hetimi hedhin dritë mbi mënyrën se si Ergys Agasi dyshohet se organizonte lëvizjet gjatë kohës që ishte në kërkim, personat që i ofronin ndihmë dhe aksesin që kishte në vilën e tij në një zonë të ruajtur nga Garda e Republikës. Tashmë, këto komunikime janë pjesë e materialit që po shqyrtohet në kuadër të hetimit penal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



