S’ka më lagje banimi në zonat turistike, resortet e reja detyrim të jenë 60% hoteleri
Resortet në bregdet tashmë do të kenë me detyrim që 60 për qind të sipërfaqes ta kenë hotel. Këshilli i Ministrave ka miratuar rregullat e reja për projektet e integruara turistike të njohura si “Resorte Miks”, zhvillimet e integruara ku ndërthuren hotelet me njësitë rezidenciale private.
Sipas vendimit, çdo investim i ri në zonat turistike dhe bregdetare duhet të zbatojë një raport strikt të ndërtimit, ku komponenti turistik (hoteli, strukturat akomoduese dhe shërbimet ekskluzive për turistët) duhet të zërë jo më pak se 60% të sipërfaqes totale të ndërtimit.
Pjesa e mbetur, e cila përfshin vilat apo apartamentet private për rishitje (komponenti rezidencial), është kufizuar me ligj dhe nuk mund të kalojë në asnjë rast tavanin prej maksimumi 40% të projektit.

Ky raport i ri synon të garantojë që peshën kryesore të investimeve ta ketë hoteleria e mirëfilltë, duke frenuar kthimin e resorteve në lagje thjesht rezidenciale banimi.
Llogaritja e këtyre përqindjeve do të verifikohet që në fazën fillestare përpara marrjes së lejes së ndërtimit, ku çdo subjekt zhvillues duhet të pajiset me një certifikatë paraprake kategorizimi nga ministria përgjegjëse për turizmin.
Deri më sot, shumë zhvillues përfitonin lehtësi ose leje për resorte turistike, por në terren ndërtonin masivisht komplekse vilash private për shitje, duke lënë vetëm një hotel të vogël sa për emër.
Ky model nuk gjeneronte turizëm të qëndrueshëm, pasi vilat private shpesh mbeten të mbyllura për pjesën më të madhe të vitit dhe nuk krijojnë vende pune apo fluks të vazhdueshëm turistësh.
Me skemën e re 60/40, shteti garanton që peshën kryesore të investimit ta ketë hoteleria dhe strukturat që mbajnë gjallë industrinë e turizmit. Për më tepër, llogaritja e këtij raporti do të bëhet mbi dokumentacionin teknik përpara miratimit të lejes së ndërtimit, duke i prerë rrugën abuzimeve në terren./Kapitali
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



