Friday / November 6 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Europa

E ardhmja e ndritur e Europës

Share Share Icon

PARIS – Kam lindur në Gjermani, kam studiuar në Zvicër dhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe kam shërbyer si oficer rezervist në Marinën Franceze. Sot jam shtetas francez dhe drejtoj një kompani franceze që operon në më shumë se 50 vende. Mbi të gjitha, jam europian.

Historia ime personale pasqyron atë që Europa ka arritur: vende që luftuan kundër njëri-tjetrit për shekuj me radhë krijuan një bashkim të karakterizuar nga paqja, liria dhe prosperiteti, të mbështetur në demokraci dhe shtetin e së drejtës, si dhe të përkushtuar ndaj solidaritetit dhe mbrojtjes sociale. Megjithatë, jemi mësuar aq shumë me këto kushte, sa shpesh i marrim si të mirëqena.

Ndërsa ata që e shohin nga jashtë vazhdojnë ta konsiderojnë gjerësisht Bashkimin Europian si një model lirie dhe mundësish, ne europianët priremi të përqendrohemi te dobësitë tona: burokracia e rënduar, plakja e popullsisë, ngecja teknologjike dhe mungesa e kompanive lider në shkallë globale në sektorët strategjikë.

Këto dobësi janë reale, por nuk janë aspak të pakapërcyeshme, nëse veprojmë tani. Sa më gjatë ta shtyjmë përballjen me sfidat që kemi përpara, aq më pak besim do të kemi në aftësinë tonë për t’i kapërcyer ato.

Në një kohë kur transformimi i shpejtë teknologjik dhe rivalitetet strategjike gjithnjë e më të forta po krijojnë pasiguri të thellë, madje edhe rreziqe ekzistenciale, gjëja e fundit që i duhet Europës është të humbasë nga sytë pikat e saj të forta.

Dhe këto pika të forta janë të konsiderueshme. BE-ja përfaqëson rreth 20% të konsumit botëror: ajo është tregu më i madh i përbashkët në botë, me rregulla dhe rregullore transparente. Falë normave të kursimit rreth tri herë më të larta se në Shtetet e Bashkuara, europianët zotërojnë 35 trilionë euro (39 trilionë dollarë) kursime.

Eurozona ka një normë mesatare kursimi strukturalisht të lartë, e cila historikisht ka lëvizur ndërmjet 12% dhe 15% (madje edhe më shumë në vende si Franca dhe Gjermania). Vetëm kompanitë europiane të sigurimeve menaxhojnë rreth 10 trilionë euro aktive.

Sfida është të mobilizohet një pjesë më e madhe e këtij kapitali për arsimin dhe kërkimin shkencor, inovacionin, tranzicionin e gjelbër dhe atë dixhital, si dhe mbrojtjen. Për këtë qëllim, BE-ja duhet të përfundojë krijimin e Unionit të Kursimeve dhe Investimeve, për të cilin diskutohet prej kohësh dhe që synon të nxisë zhvillimin e tregjeve të përbashkëta të kapitalit dhe atyre bankare.

Por vetëm investimet nuk do të mjaftojnë për të krijuar një sektor teknologjik që të konkurrojë me më të mirët në botë, gjë që konsiderohet gjerësisht thelbësore për konkurrueshmërinë e ardhshme të Europës.

Siç vuri në dukje Mario Draghi në raportin e tij me ndikim të vitit 2024 mbi konkurrueshmërinë europiane, hendeku i produktivitetit ndërmjet BE-së dhe SHBA-së është kryesisht rezultat i zhvillimeve të ndryshme të sektorëve të tyre teknologjikë.

Pyetja është se çfarë e ka shkaktuar këtë divergjencë. Përse Europa specializohet në inovacionin gradual, duke përmirësuar atë që ka ndërtuar prej dekadash, si automobilat, në vend që të krijojë inovacione rrënjësore që ndryshojnë tregjet dhe industritë?

Një pjesë e përgjigjes qëndron te rregullimi, veçanërisht ai i tregjeve të punës. Me disa përjashtime, sidomos ekonomitë skandinave, me modelin e tyre të «fleksigurisë», mbrojtja e punonjësve nga humbja ose zhvendosja e vendeve të punës e bën më të vështirë futjen e teknikave të reja dhe zhvillimin e aktiviteteve të reja në vendet europiane sesa në SHBA apo Kinë.

Modeli social i Europës është një nga pikat e saj më të forta dhe mbrojtja sociale qëndron në zemër të identitetit europian. Por garantimi i sigurisë nuk duhet të shndërrohet në një përpjekje për të eliminuar çdo rrezik. Në vend që të pengojë inovacionin për të ruajtur çdo vend pune pikërisht në formën që ka sot, Europa duhet t’i ndihmojë njerëzit të përballojnë dhe të përshtaten me transformimet që po vijnë.

Shumë shpesh, modeli social europian ndërhyn tepër vonë, pasi punonjësit kanë humbur vendet e punës dhe aftësitë e tyre janë bërë të vjetruara. Në vend që të mbajmë një qëndrim mbrojtës, duhet të ndërhyjmë në mënyrë aktive që në momentin kur shfaqen inovacionet. Europianët duhet të mbrohen nga rreziqet e ndryshimit, por edhe nga rreziku i ngecjes. Duke u përpjekur me çdo kusht të parandalojmë ndryshimet rrënjësore, ne dekurajojmë eksperimentimin, investimet dhe sipërmarrjen.

Modeli europian i mirëqenies sociale duhet të ruhet, ndaj duhet të modernizohet dhe të financohet në mënyrë të qëndrueshme. Prioritetet duhet të përfshijnë rritjen e moshës së daljes në pension, rritjen e normave të punësimit përmes aksesit më të mirë në të mësuarit gjatë gjithë jetës dhe mbështetjes për kalimin nga një karrierë në tjetrën, si dhe zgjerimin e mundësive për të përfituar nga planet e përballueshme të kursimit afatgjatë. Thelbësore janë gjithashtu investimet në kujdesin shëndetësor parandalues, që i ndihmon njerëzit të qëndrojnë të shëndetshëm dhe të pavarur për një kohë më të gjatë, si dhe zhvillimi i shërbimeve të kujdesit afatgjatë, të përshtatura për një popullsi në plakje.

Përpjekje të tilla do t’u jepnin siguri të gjithë europianëve se nuk do të lihen të përballen të vetëm me vështirësitë, ndërsa të rinjve do t’u ofronin më shumë arsye për të shpresuar për një të ardhme të sigurt dhe të begatë. Përballimi i të gjitha këtyre sfidave, nga modernizimi i ekonomisë deri te reformimi i shtetit të mirëqenies sociale, duhet të përfshijë dialogun me partnerët socialë. Një dialog i tillë mund t’u japë legjitimitet reformave të vështira në shoqëri që shpesh janë thellësisht të polarizuara.

E gjithë kjo varet nga rikthimi i aftësisë së Europës për të vepruar. Krijimi i BE-së nisi kur gjashtë vende, të vendosura për t’u ofruar të rinjve të tyre një të ardhme paqësore, bashkuan burimet e nevojshme për të zhvilluar luftë: qymyrin dhe çelikun. Sot duhet të ndjekim këtë model, duke identifikuar nismat që do të garantonin realisht një të ardhme të karakterizuar nga liria, sovraniteti dhe solidariteti; duke përqendruar tek ato vullnetin politik dhe investimet; dhe duke ecur përpara me vendet që janë të gatshme të veprojnë.

Kjo mund të mos përfshijë të 27 vendet e BE-së. Në fakt, në projektet e mëdha industriale, teknologjike dhe të mbrojtjes, shpesh nuk do të jetë kështu. Koalicionet e vendeve të gatshme për të vepruar duhet të hapin rrugën, ndërsa të tjerat mund t’u bashkohen pasi nismat të kenë rezultuar të suksesshme.

Autonomia e plotë europiane nuk është realiste, por përmes një kombinimi të mendimit strategjik, politikave të guximshme dhe fleksibilitetit rregullator, Europa mund të krijojë kompani lider në industritë kryesore, siç bëmë me Airbus në vitin 1970. Në fushën e inteligjencës artificiale, megjithëse Europa mbetet pas SHBA-së dhe Kinës në zhvillimin e modeleve më të avancuara, ajo mund të arrijë të marrë drejtimin në përdorimin e kësaj teknologjie, falë bazës së saj të fuqishme industriale. Nxitja për ta bërë këtë është padyshim e fortë: ndërsa plakja e popullsisë sjell tkurrjen e forcës së punës, rritja e produktivitetit e nxitur nga inteligjenca artificiale mund të ndryshojë rrënjësisht situatën.

Për këtë qëllim, si dhe për të përmirësuar perspektivat e të rinjve për të ardhmen, rikualifikimi i punonjësve dhe krijimi i vendeve të punës me vlerë të shtuar më të lartë duhet të jenë përparësi kryesore. Nevojiten gjithashtu investime në infrastrukturën kritike dhe lokale, si dhe në aplikimet praktike të inteligjencës artificiale, ndër të tjera për të forcuar sovranitetin tonë teknologjik.

Të besosh te Europa nuk do të thotë të mbrosh gjendjen ekzistuese. Do të thotë të kesh ambicien për të ndërmarrë transformime. Një vizion i qartë në nivelet më të larta drejtuese, i shprehur përmes një mesazhi bindës, të përqendruar te prosperiteti, siguria dhe demokracia, do t’i ndihmonte qytetarët të përfytyronin një të ardhme pozitive, në vend që të strehoheshin te nostalgjia. Ndërsa veprimet vendimtare do ta kthenin këtë vizion në përparim konkret.

Europianëve mund të mos u pëlqejë mjedisi i ri global, më i fragmentuar dhe më konkurrues, në të cilin ndodhemi, por kjo është bota me të cilën BE-ja duhet të përballet. Asnjë vend anëtar nuk mund ta bëjë këtë i vetëm dhe asnjë bllok vendesh nuk është në një pozicion më të favorshëm për të pasur sukses.

Thomas Buberl është Drejtor Ekzekutiv i AXA.

Të drejtat e autorit: Project Syndicate, 2026.

www.project-syndicate.org

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Tregjet rrisin pritshmëritë për një tjetër rritje të interesave në Britani në dhjetor

Pritshmëritë e tregjeve financiare për një tjetër rritje të normës bazë të interesit në Britani në dhjetor janë shtuar, pas vendimit të Bankës së A...

5 hours më parë 2 Min Lexim

Franca përgatitet për protesta masive, priten deri në 700 mijë demonstrues

Franca përgatitet për një valë të re protestash masive dhe grevash kombëtare të enjten, më 5 nëntor, me pjesëmarrjen e pritshme të 500 mijë deri në...

1 day më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!