Zbardhet skema tinëzare se si Dritan Bellaj po monopolizon importin e shumë artikujve
Ndërsa qeveria trumbeton me të madhe se po lehtëson jetesën e qytetarëve përmes uljes së TVSH-së për produktet e shportës, realiteti në tregun shqiptar po diktohet nga një skemë krejt tjetër. Në prapaskenë po instalohet një monopolizim në seri që asgjëson çdo ulje taksash.
Në qendër të kësaj loje të rrezikshme që po vret konkurrencën e lirë është Dritan Bellaj, pronari i kompanisë “Eurolab International Group shpk”. Përmes vendimeve të njëpasnjëshme të administratës doganore, Bellaj po shndërrohet në një nga monopolistët më të fuqishëm dhe më të paprekshëm të vendit.
Rasti më i fundit janë dy urdhra të drejtorisë së Përgjithshme të doganave, të cilat fusin mbi 20 produkte importi të konsumit të përditshëm në regjim monopol, me tregtar të vetëm zotin Bellai.
Pas “Lemon Soda”-s, shtrihen kthetrat mbi “Peroni” dhe “Disaronno”
Pasi siguroi bllokimin e “importeve paralele” për Lemon Soda-n vitin e kaluar, gjë që çoi në një rritje të menjëhershme dhe drastike të çmimit në treg, kompania e Dritan Bellajt ka marrë tashmë të drejtën ekskluzive për të kontrolluar totalisht importin e disa prej markave më të mëdha të pijeve të huaja, ku bëjnë pjesë Birra Peroni dhe marka e pijes alkolike Amaro, me justifikimin e importuesit që mban liçencën ekskluzive nga prodhuesi.

Dogana ka urdhëruar bllokimin e çdo importuesi tjetër për markat e njohura Disaronno, Artic dhe Tia Maria. Paralelisht “Eurolab” ka fituar të drejtën ekskluzive të bllokimit në kufi për 11 marka që lidhen me birrën Peroni (përfshirë Peroni Nastro Azzurro, Birra Peroni, Nastro Azzurro dhe dizajnin zyrtar të shishes).

Ky bllokim administrativ do të thotë se asnjë operator tjetër ekonomik në Shqipëri nuk mund të fusë këto produkte në vend. Fuqia absolute për të caktuar çmimet e tyre i ka kaluar zyrtarisht vetëm një njeriu: Dritan Bellajt.
Si po dëmtohet konsumatori dhe rrjetet e supermarketeve?
Deri më sot, rrjetet e mëdha të supermarketeve si Conad apo SPAR apo tregtarët paralelë arrinin të mbronin konsumatorin shqiptar duke i importuar këto produkte me çmime më të lira direkt nga degët e tyre në Itali apo Holandë. Ky quhet “import paralel” dhe është mekanizmi kryesor që mbron tregun e lirë nga abuzimet.
Me urdhrat e rinj të Doganës, ky mekanizëm po shembet. Supermarketet dhe baret janë të detyruara t’i blejnë këto pije vetëm te “Eurolab”, me çmimet që vendos vetë kompania.
Kjo situatë nxjerr zbuluar dështimin e parashikueshëm të Paketës Fiskale. Çfarë vlere ka që qeveria të ulë TVSH-në me 5% ose 10% për të ulur çmimet, kur në të njëjtën kohë Dogana po monopolizon tregtinë për thuajse çdo produkt duke u dhënë importuesve fuqinë ta rrisin çmimin e mallit në raft me 30% apo 40%?
Deformimi i ligjeve të BE-së në një treg të izoluar
Ligji për pronësinë industriale, i ndryshuar gjoja për të përafruar Shqipërinë me Bashkimin Europian, po përdoret në mënyrë të deformuar. Në BE, krijimi i monopoleve të tilla është i pamundur për shkak të parimit të “Tregut të Përbashkët”.
Nëse ke ekskluzivitetin e një marke në Gjermani, ti nuk mund të ndalosh ligjërisht një tregtar tjetër ta blejë atë në Spanjë dhe ta shesë në tregun gjerman.
Por në Shqipëri, ky ligj po shërben për të instaluar monopolet e pastra private. Për më tepër, Dogana ka marrë përsipër të luajë rolin e Gjykatës. Marrëveshjet dhe përplasjet për licencat ekskluzive janë çështje të gjykatave civile mes privatëve.
Ndërhyrja me shkresa administrative nga administrata doganore tregon se shteti po del kundër interesit publik—i cili kërkon treg të lirë dhe konkurrencë—për të mbrojtur interesat private të një grushti njerëzish.
Nëse kjo skemë që po udhëhiqet nga biznesi i Dritan Bellajt do të shtrihet edhe tek produktet e tjera bazë të shportës ushqimore, tregu shqiptar do të kthehet në një monopol ku çmimet nuk do t’i vendosë as oferta, as kërkesa dhe as taksat e shtetit, por vetëm vullneti i importuesve ekskluzivë./Kapitali
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



