Donald Trump ka deklaruar se do të ketë "një marrëveshje të madhe dhe të bukur" për Ukrainën, e cila "mund të përfshijë të gjithë Evropën". Presidenti amerikan e bëri këtë deklaratë befasuese ndërsa priste të dërguarin e Vladimir Putinit dhe zyrtarë ukrainas në një takim të rrallë ballë për ballë në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, ai nuk dha detaje të mëtejshme se si një marrëveshje e tillë do t'i jepte fund konfliktit, i cili tashmë ka hyrë në vitin e tij të pestë. I dërguari i Putinit, Kirill Dmitriev, dhe përfaqësuesit ukrainas morën pjesë në takim për të njohur rolin e Zonjës së Parë, Melania Trump, në ndërmjetësimin e një armëpushimi gjashtëditor në qytetin ukrainas të Oleshky-t, i cili ndodhet nën pushtimin rus. Duke folur nga Zyra Ovale, Trump tha se ishte takuar me Dmitriev-in, por jo me zyrtarët ukrainas. Presidenti nuk pranoi të jepte detaje mbi diskutimet, por la të kuptohet se lufta e shkaktuar nga pushtimi rus i vitit 2022, ishte pranë zgjidhjes. "Do të ketë një marrëveshje. Do të jetë një marrëveshje e madhe dhe do të përfshijë më shumë sesa thjesht Ukrainën; madje mund të them se mund të përfshijë të gjithë Evropën. Do të jetë një marrëveshje e madhe dhe e bukur, dhe të gjithë do të jenë tejet të kënaqur", tha ai. Trump ka ushtruar presion ndaj Volodymyr Zelensky-t dhe qeverisë së tij për të arritur një marrëveshje paqeje me Moskën. Pas humbjeve të rënda zgjedhore në zgjedhjet e mesmandatit këtë javë presidenti duket se është edhe më i prirur të kërkojë një marrëveshje, të cilën mund ta paraqesë si një fitore.