E premte, 6 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
PD çon në Kushtetuese paketën e Ramës kundër protestave
Lajme

PD çon në Kushtetuese paketën e Ramës kundër protestave

Partia Demokratike ka ndërmarrë një tjetër hap kundër masave të miratuara nga qeveria për protestat, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për shfuqizimin e akteve normative dhe vendimit të Këshillit të Ministrave që përcaktojnë rregullat e reja për zhvillimin e tubimeve.

Lajmi është bërë publik nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili ka konfirmuar se demokratët kanë depozituar kërkesën për shfuqizimin e Aktit Normativ nr. 5/2026, Aktit Normativ nr. 6/2026 dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 815/2026, të datës 28 tetor 2026.

Në të njëjtën kërkesë, opozita ka kërkuar edhe pezullimin e zbatimit të këtyre akteve deri në përfundimin e shqyrtimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese.

Në thelb të kundërshtimit të demokratëve janë masat që lidhen me kufizimin e protestave, detyrimin për kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë tubimeve dhe krijimin e një regjistri policor për personat e përfshirë në akte dhune.

Sipas Bardhit, këto masa përbëjnë një ndërhyrje që tejkalon kufijtë kushtetues të kompetencave të qeverisë dhe rrezikon të cenojë një prej të drejtave themelore të qytetarëve: lirinë për t’u tubuar dhe protestuar.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së ka theksuar se kundërshtimi i opozitës nuk ka të bëjë me mbrojtjen e personave që shkelin ligjin dhe as me mohimin e detyrimit të shtetit për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Sipas tij, problemi qëndron te mënyra se si qeveria po përdor argumentin e sigurisë për të zgjeruar kompetencat e saj dhe për të vendosur kufizime mbi ushtrimin e të drejtave kushtetuese.

Bardhi: Qeveria kërkon të shuajë me dhunë zërin e qytetarëve

Në deklaratën e tij, Bardhi e cilësoi këtë përballje si një betejë për mbrojtjen e Kushtetutës, duke akuzuar qeverinë se po përpiqet të kufizojë të drejtën e protestës nën argumentin e garantimit të rendit publik.

Ai paralajmëroi se zbatimi i këtyre masave mund të sjellë pasoja të drejtpërdrejta për liritë qytetare dhe të kthehet në një mekanizëm për të penguar shprehjen e pakënaqësisë ndaj qeverisë.

“Është një betejë për të mbrojtur Kushtetutën nga një qeveri që, në mënyrë të rreme, gjoja në emër të rendit publik, kërkon të zgjerojë kompetencat e veta përtej kufijve kushtetues, me një qëllim, të shuajë me dhunë zërin e qytetarëve, të asgjësojë në praktikë një të drejtë kushtetuese, të drejtën për të protestuar”, deklaroi Bardhi.

Më tej, demokrati nënvizoi se siguria publike dhe respektimi i lirive themelore nuk duhet të vendosen në kundërshtim me njëra-tjetrën, duke e konsideruar të papranueshme përdorimin e rendit publik si justifikim për masa arbitrare.

“Sepse në një shtet demokratik, rendi publik nuk mund të vendoset kundër lirive themelore. Siguria nuk mund të përdoret si justifikim për arbitraritetin. Dhe pushteti nuk mund të vendosë vetë se cilat të drejta mund të ushtrojnë qytetarët dhe cilat duhet t’u hiqen”, u shpreh kreu i Grupit Parlamentar të PD-së.

Tashmë pritet që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë kërkesën e opozitës dhe pretendimet për cenimin e lirive kushtetuese. Deri në një vendimmarrje të gjykatës, PD kërkon që aktet e kundërshtuara të mos zbatohen.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.