Fundjava në futbollin europian premton emocione dhe gola të shumtë, me vëmendjen kryesore të përqendruar te përballja mes Atletico Madridit dhe Barcelonës. Një tjetër “El Clasico”, këtë herë në kryeqytetin spanjoll, do të vendosë përballë Julian Alvarez dhe Sorloth kundër Lamine Yamal e Raphinha, në një sfidë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në garën për kreun e La Ligës. Barcelona ka aktualisht dy pikë më shumë se skuadra e Diego Simeones. Ndeshja do të luhet të dielën, në orën 21:00.
Në Angli, Arsenali dhe Manchester City synojnë të vijojnë marshimin drejt objektivave të tyre. “Topçinjtë”, që kanë mbrojtjen më të mirë në Europë, presin Hull City-n, ndërsa City luan në transfertë ndaj Nottingham Forest. Brightoni, surpriza e këtij sezoni dhe aktualisht në vendin e tretë, do të kërkojë të konsolidojë pozitat në përballjen me Brentford.
Liverpool dhe Chelsea kanë në letër sfida të përballueshme ndaj Crystal Palace dhe Sunderland. Ndërkohë, Tottenham i Roberto De Zerbit kërkon fitoren e katërt radhazi në transfertën ndaj Leeds. Një përballje veçanërisht interesante është ajo mes Manchester United dhe Aston Villa-s, ku skuadra e Michael Carrick synon të konfirmojë rikthimin pas suksesit në Champions League dhe të forcojë pozitat e trajnerit në stol.
Në Spanjë, përballja Atletico Madrid-Barcelona është pa dyshim kryefjala e javës. Dy skuadrat vijnë pas rezultateve të ndryshme në Champions League: Atletico u mposht bindshëm në shtëpi nga Bayerni, ndërsa Barcelona reagoi me një fitore 3-0 ndaj Aston Villa-s, ku Raphinha realizoi dy gola.
Megjithatë, gara për titull nuk kufizohet vetëm te këto dy ekipe. Real Madridi i Jose Mourinhos, vetëm tri pikë larg kreut, udhëton drejt Valencias me synimin për të vazhduar serinë pozitive. Betis luan në transfertë ndaj Elches, ndërsa Villarreal kërkon të rikuperojë pas humbjes së rëndë 0-6 ndaj PSG-së, duke pritur Getafen.
Në Gjermani, Bayerni dhe Borussia Dortmundi vazhdojnë të ndajnë kreun e Bundesligës pas barazimit në përballjen direkte. Kampionët kanë shënuar pothuajse dyfishin e golave të rivalëve dhe vijnë me moral të lartë pas fitores së thellë ndaj Atletico Madridit në Champions League, ku Harry Kane ishte sërish protagonist.
Dortmundi pret Elversbergun, ndërsa Bayerni luan në transfertë ndaj Mainzit. Leipzig dhe Freiburg synojnë të përfitojnë nga sfidat në shtëpi për të forcuar pozitat në garën për zonën Champions.
Në Francë, PSG ka marrë kontrollin e kampionatit pas një fillimi jo të qëndrueshëm. Kampionët në fuqi vijnë pas një fitoreje spektakolare 6-0 ndaj Villarrealit dhe tashmë presin Troyes në “Parc des Princes”. Një nga përballjet më interesante do të jetë ajo mes Rennes dhe Lille, ekipit që drejtohet nga Davide Ancelotti. Marseille udhëton drejt Lensit, ndërsa Lyon përballet me Brestin, pas largimit të trajnerit Paulo Fonseca, i cili ka marrë drejtimin e Sportingut të Lisbonës.
Edhe kampionatet e tjera europiane ofrojnë përballje interesante. Në Holandë, ku katër skuadra ndahen me vetëm dy pikë, spikat dueli Twente-Ajax, ndërsa Feyenoordi kryesues udhëton në fushën e Heerenveenit.
Në Portugali, Porto e drejtuar nga Francesco Farioli synon fitoren e 11-të radhazi në transfertën ndaj Vitoria Guimaraes, ndërsa Benfica kërkon të rikuperojë terrenin në përballjen me Estrelën.
Në Turqi, vëmendja është te Galatasaray-Amedspor. Kryesuesit e kampionatit, me Victor Osimhen në formacion, përballen me surprizën e këtij sezoni, një skuadër që ka tërhequr vëmendjen për rezultatet e saj, pavarësisht buxhetit të kufizuar. Amedspor, që përfaqëson rajonin kurd, ka aktualisht sulmin më të mirë në kampionat dhe në përbërje ka edhe emra të njohur si portieri Alban Lafont dhe sulmuesi Gift Orban.
© SYRI.net
Tuchel publikon listën e Anglisë për Nations League, Palmer lihet sërish jashtë, grumbullohen vëllezërit Bellingham
Rashford e cilëson Yamal-in si futbollistin më të afërt me Messin: Nëse fiton 7 Topa të Artë, nuk do të habitem
Preshevë, nisin punimet për ndërtimin e fushës së re të futbollit, FSHF fton donatorët të bëhen pjesë e projektitBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: