Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të financojë me 35,15 miliardë lekë zhvillimin e infrastrukturës rrugore në vitin 2027. Ministri Enea Karakaçi, tha se “ky është fondi që buxheti i akordon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për zhvillimin e rrugëve”.
“35,15 miliardë lekë për infrastrukturën rrugore në vitin 2027. Ky është fondi që buxheti i akordon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për zhvillimin e rrugëve. Por, përtej shifrës, çfarë do të thotë kjo konkretisht? Dy projekte madhore, autostrada Tiranë–Durrës dhe aksi Tiranë–Ndroq–Plepa, do të financohen tërësisht nga buxheti i shtetit, duke krijuar kushtet për përshpejtimin e punimeve dhe përfundimin e tyre në një kohë sa më të shkurtër.
Ndërkohë, një tjetër vepër e rëndësishme, bypassi i Elbasanit, kalon tashmë në një skemë të re financimi përmes buxhetit të shtetit, duke i dhënë një perspektivë të re vijimit dhe realizimit të këtij projekti.
Viti 2027 sjell gjithashtu një shtysë të rëndësishme për projektet që janë në proces zhvillimi. Në fokus do të jenë Korridori VIII dhe Korridori Blu, i cili po merr jetë përmes projekteve koncesionare: Kashar–Rrogozhinë, punimet e të cilit nisin në fund të këtij viti; Lekaj–Fier dhe Milot–Balldren, për të cilët jemi afër nënshkrimit të kontratës që i hap rrugën finalizimit të projektit të zbatimit, për të nisur nga puna”, tha Karakaçi.
Ministri theksoi se ARRSH po finalizon dhe po vazhdon punët për të bërë projekte të reja rrugësh. Ai nënvizoi se objektivi i qeverisë është që të ndërtojnë një infrastrukturë rrugore moderne që përmirëson lidhjen mes qyteteve dhe rajoneve. Sipas Karakaçit ky forcon edhe integrimin e Shqipërisë me rrjetet evropiane të transportit.
