Komisioni Evropian vlerëson Bankën e Shqipërisë, ligji i ri sjell përafrimin me standardet e BE-së

Ekonomi | 48 minuta më parë

Raporti i vitit 2026 i Komisionit Evropian evidenton miratimin e ligjit të ri për Bankën e Shqipërisë, si dhe zhvillimet në fushën e pavarësisë së bankës qendrore, modernizimit të pagesave dhe qëndrueshmërisë së sektorit bankar.

Sipas raportit, legjislacioni shqiptar tashmë është i përafruar me acquis-in e Bashkimit Evropian për pavarësinë e bankës qendrore dhe ndalimin e financimit monetar të sektorit publik. Dokumenti përmend në këtë kontekst miratimin e ligjit të ri për Bankën e Shqipërisë në tetor 2026.

Ky vlerësim vjen pas rekomandimeve të paraqitura në raportet e viteve të mëparshme. Në vitin 2024, Komisioni Evropian kishte kërkuar forcimin e garancive për pavarësinë personale të Guvernatorit dhe organeve drejtuese të Bankës së Shqipërisë, si dhe respektimin e plotë të ndalimit të financimit monetar. Ndërsa në raportin e vitit 2025, përafrimi i plotë i ligjit me legjislacionin evropian vijonte të ishte një prej rekomandimeve për Shqipërinë.

Në raportin e këtij viti thuhet se “legjislacioni është i përafruar me acquis-in e BE-së për pavarësinë e bankës qendrore dhe ndalimin e financimit monetar të sektorit publik”.

Për kapitullin 17, “Politika ekonomike dhe monetare”, Shqipëria vlerësohet në një nivel të mirë përgatitjeje, me përparim të mirë. Në raportin e vitit 2025, vlerësimi ishte mes një niveli të moderuar dhe të mirë përgatitjeje, me njëfarë përparimi. Miratimi i ligjit të ri për Bankën e Shqipërisë përmendet si një prej zhvillimeve që kanë kontribuar në ecurinë e këtij kapitulli.

Dokumenti evidenton gjithashtu përafrimin e lartë të Shqipërisë me rregullat evropiane për ndalimin e aksesit të privilegjuar të sektorit publik në institucionet financiare.

Një tjetër fushë e trajtuar në raport është modernizimi i sistemeve të pagesave. Komisioni përmend ndryshimet e ndërmarra në kuadrin rregullator, që mundësojnë kalimin drejt standardeve ISO 20022 dhe SEPA, me synimin për të rritur efikasitetin e pagesave elektronike. Sipas të dhënave të raportit, këto pagesa u rritën me 23% gjatë vitit 2025.

Raporti pasqyron edhe përgatitjet për sistemin e pagesave të menjëhershme, të bazuar në modelin TIPS, për të cilin bankat tregtare kanë nisur fazën e testimit.

Sa i përket sektorit bankar, Komisioni Evropian e përshkruan atë si të mirëkapitalizuar dhe rentabël, me pozicione të forta likuiditeti. Në dhjetor 2025, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 20.4%, mbi kërkesën minimale prej 12%. Ndërkohë, kreditë me probleme zbritën në 3.8% në maj 2026, niveli më i ulët që prej vitit 2008.

Kredia për sektorin privat shënoi rritje vjetore mbi 14% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Në këtë kontekst, raporti vëren se mbikëqyrja bankare ka vijuar të jetë e kujdesshme dhe se Banka e Shqipërisë ka përmirësuar monitorimin e ekspozimit të bankave ndaj pasurive të paluajtshme dhe standardeve të kreditimit. Dokumenti përmend gjithashtu masat për administrimin e rreziqeve që lidhen me rritjen e shpejtë të kredive për banesa.

Në fushën e shërbimeve financiare, raporti evidenton miratimin e rregulloreve për rezervën e rrezikut sistemik dhe qëndrueshmërinë operacionale digjitale. Përmendet gjithashtu licencimi, në mars 2026, i bankës së parë plotësisht digjitale në Shqipëri.

Një pjesë e raportit i kushtohet edhe masave për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Komisioni pasqyron ndryshimet e bëra nga Banka e Shqipërisë në rregulloret përkatëse dhe në kërkesat për licencimin e bankave, me synim forcimin e vigjilencës dhe adresimin e rekomandimeve të MONEYVAL-it.

Në përfundim, raporti përcakton edhe fushat ku nevojiten hapa të mëtejshëm, përfshirë zbatimin e legjislacionit për pagesat, avancimin e infrastrukturës së pagesave të menjëhershme dhe përafrimin e mëtejshëm të kuadrit rregullator bankar me atë të Bashkimit Evropian.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme