Ardit Gjebrea paraqitet në SPAK Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë reaguar pas publikimit të Raportit 2026 të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke kërkuar zbatimin pa vonesë të rekomandimeve për sistemin e drejtësisë, raporton Anila Hoxha.
Në një deklaratë të përbashkët, tre organizatat vlerësojnë progresin e bërë në funksionimin e gjyqësorit dhe forcimin e pavarësisë përmes përfundimit të procesit të vetingut, por ngrenë shqetësime për problematikat që vijojnë të mbeten të pazgjidhura.
Duke iu referuar raportit të Komisionit Europian, ato theksojnë se kanë vijuar përpjekjet e zyrtarëve publikë dhe politikanëve, edhe në nivelet më të larta, për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi institucionet e drejtësisë, si dhe sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Një tjetër shqetësim lidhet me konfliktin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi pagat, i cili solli bllokimin e buxheteve të gjyqësorit dhe mospagimin e pagave të muajit gusht. Situata është cilësuar në raport si e paprecedentë.
Organizatat ngrenë gjithashtu shqetësimin për mungesën e masave të mjaftueshme të sigurisë për magjistratët, duke kujtuar vrasjen e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja, në tetor 2025. Sipas raportit, tetë magjistratë janë aktualisht nën mbrojtje, gjashtë prokurorë dhe dy gjyqtarë.
Në deklaratë theksohen edhe vështirësitë me të cilat përballen gjykatat dhe prokuroritë e rretheve, për shkak të ngarkesës së lartë, mungesës së personelit dhe kapaciteteve të pamjaftueshme për hetimet financiare dhe çështjet komplekse.
Në përfundim, tre organizatat i kërkojnë institucioneve përgjegjëse të ndalin ndërhyrjet dhe sulmet ndaj magjistratëve, të hartojnë reformën e pagave në konsultim me gjyqësorin, të garantojnë sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të sigurojnë burimet njerëzore e teknike të nevojshme për sistemin e drejtësisë.
“Një drejtësi e pavarur kërkon magjistratë të sigurt, të respektuar dhe të lirë nga presionet. Kjo është përgjegjësi e të gjitha institucioneve”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Top Channel