Masakër në Turqi/ 28-vjeçari vret 8 persona në disa zona, mes tyre dy mësuese, kapet pas ndjekjes nga policia
Tetë persona u vranë dhe një nënë e tre fëmijëve mbeti e plagosur rëndë në një seri sulmesh me armë zjarri në provincën Afyonkarahisar, në perëndim të Turqisë. Autori i dyshuar, 28-vjeçari Arif Sefa Özdemir, u kap në distriktin Seyitgazi, në provincën fqinje Eskişehir, pas një ndjekjeje nga policia dhe xhandarmëria.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat turke, sulmet u kryen në mënyrë të rastësishme, ndërsa autori qëllonte me armë personat dhe automjetet që i dilnin përpara gjatë lëvizjes nga qyteti drejt zonave rurale të İhsaniye-s.
Viktima e parë ishte Sevgi Postalcı, nënë e tre fëmijëve, e cila ishte nisur për të marrë fëmijën nga shkolla kur u qëllua në kokë. Gruaja mbeti në gjendje kritike dhe u intubua në spital.
Më pas, 28-vjeçari u drejtua për në fshatin Yukarıtandır, ku qëlloi dy mësuese të shkollës së mesme ku ato punonin. Hilal Mete, 31 vjeçe, mësuese e lëndës së Edukimit Fetar dhe Moral, humbi jetën në vendngjarje, ndërsa Ayşe Sena Demir, 46 vjeçe, mësuese e shkencave, ndërroi jetë në spital.
Sulmet vijuan në zonën e fshatit Ayazini, ku autori vrau me armë gjahu Ahmet Uzel, 57 vjeç, Bekir Toprak, 50 vjeç, dhe Noman Toprak, 56 vjeç, të cilët ndodheshin në një automjet.
Pranë fshatit Kıyır, ai qëlloi për vdekje edhe çiftin e moshuar Seydi Ahmet Aydoğmuş, 73 vjeç, dhe bashkëshorten e tij Satı Aydoğmuş, 68 vjeçe. Ata po ktheheshin nga pazari i lagjes në qendër të qytetit. Ndërkohë, trupi i pajetë i 61-vjeçarit İsmail Şen u gjet rreth një kilometër larg zonës.
Pas sulmeve, autori dyshohet se ka marrë me forcë automjetet e personave që qëllonte, duke ndryshuar disa herë itinerarin e arratisjes. Në fund, ai përdori një automjet dhe kaloi në territorin e provincës Eskişehir.
Pas një operacioni të koordinuar mes forcave të policisë dhe xhandarmërisë së dy provincave, ai u lokalizua dhe u arrestua në distriktin Seyitgazi.
Hetimet paraprake tregojnë se viktimat nuk kishin konflikte të njohura me autorin dhe dyshohet se janë qëlluar rastësisht gjatë lëvizjes së tij. Në vendngjarje janë gjetur gëzhoja të shumta, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur motivet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje që ka tronditur Turqinë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




