Vendosni fjalën kyçe....

Operacioni “Clean School” në Fier, 4 të arrestuar dhe një në kërkim, sekuestrohen 2.9 kg kanabis



Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “Clean School”, në kuadër të të cilit janë arrestuar katër persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim, të dyshuar për përfshirje në shpërndarjen e lëndëve narkotike në afërsi të institucioneve arsimore.

Në pranga kanë rënë shtetasit K. B., 28 vjeç, D. F., 25 vjeç, M. Zh., 48 vjeç dhe T. Ç., 52 vjeç, të gjithë banues në Fier. Ndërkohë, policia vijon kërkimet për E. B., 38 vjeç, gjithashtu banues në këtë qytet, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Sipas policisë, operacioni u zhvillua pas një hetimi disa mujor nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dhe në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”. Gjatë hetimit janë përdorur edhe metoda speciale hetimi.

Gjatë kontrolleve në banesat e personave të arrestuar, policia sekuestroi 2.9 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar si Cannabis Sativa, dy peshore elektronike dhe katër telefona celularë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.

Policia bën me dije se do të vijojë kontrollet dhe operacionet kundër veprimtarisë së paligjshme në fushën e narkotikëve, me fokus parandalimin e shpërndarjes së drogës pranë institucioneve arsimore.