Melisa Braci, anëtare e Këshillit Kombëtar (Diaspora) të PDSH, ka kritikuar mënyrën se si kjo forcë politike organizon përfaqësimin e saj në debatet televizive. Sipas saj, drejtuesit e lartë të PD-së nuk duhet të marrin pjesë në çdo emision, veçanërisht kur përballë tyre nuk ka përfaqësues të Partisë Socialiste.
Në një reagim publik, Braci rikujtoi vendimin e marrë disa muaj më parë nga kryetari i PD-së, sipas të cilit asnjë përfaqësues i partisë nuk duhej të merrte pjesë në emisione televizive nëse nuk ishte i pranishëm edhe një përfaqësues i PS-së. Ajo theksoi se ky qëndrim zgjati vetëm dy javë, përpara se përfaqësuesit demokratë t’u riktheheshin daljeve të zakonshme televizive.
Braci argumenton se kryetari, Sekretari i Përgjithshëm dhe nënkryetarët e PD-së nuk duhet të përballen me çdo gazetar apo analist, pasi partia ka mjaftueshëm drejtues dhe figura të tjera që mund të përfaqësojnë qëndrimet e saj në studio. Sipas saj, drejtuesit kryesorë duhet të pranojnë debate vetëm me homologët e tyre në Partinë Socialiste.
“Dalja e një drejtuesi të lartë duhet të jetë një ngjarje komunikimi, jo një detyrim rutinë ndaj axhendës së televizioneve”, shkruan ajo.
Në reagimin e saj, Braci thekson se një parti politike duhet të ketë një strategji të qartë komunikimi, hierarki përfaqësimi dhe kontroll mbi ekspozimin publik të drejtuesve. Sipas saj, prania e vazhdueshme në media mund të sigurohet edhe përmes përfaqësuesve të tjerë të partisë, pa qenë e nevojshme që kryetari apo Sekretari i Përgjithshëm të jenë çdo ditë në studio.
Ajo pretendon se kryeministri Edi Rama ndjek prej vitit 2017 një strategji për të shmangur përballjen e drejtpërdrejtë mes PD-së dhe PS-së, duke e zëvendësuar atë me debate mes përfaqësuesve të opozitës dhe gazetarëve apo analistëve. Sipas Bracit, PD-ja nuk duhet ta lehtësojë këtë qasje, por duhet të vendosë si kusht praninë e përfaqësuesve të mazhorancës në debatet ku ftohen drejtuesit e saj.
Këtë argument ajo e shtrin edhe te zhvillimet në Kuvend, ku, sipas saj, përplasjet politike nuk zhvillohen gjithmonë mes përfaqësuesve të dy forcave kryesore, por përqendrohen te figura të tjera të mazhorancës dhe opozitës.
Në përfundim, Braci kundërshton atë që e cilëson si ekspozim të panevojshëm të drejtuesve të PD-së në emisionet televizive, ku ata përballen me gazetarë dhe analistë pa pasur përballë përfaqësues të qeverisë.
“Opozita nuk është aty për të shërbyer si objekt i përditshëm sulmesh nga gazetarë e analistë. Opozita është alternativa drejtuese e Shqipërisë”, shkruan ajo.
Braci shton se, nëse PD-ja nuk ka mjaftueshëm debatues për përfaqësimin e saj publik, duhet të investojë në krijimin e tyre, në vend që të mbështetet vazhdimisht te drejtuesit më të lartë të partisë.