FIER- Një grup që shpërndante drogë pranë shkollave është goditur nga Policia e Fierit. Operacioni i bluve erdhi pa disa muajsh hetime dhe çoi në pranga 4 persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Konkretisht, masa arrest me burg me vendim të Gjykatës së Fierit u zbatua për Kevin Bare 28 vjeç, Dejvi Ferko 25 vjeç, Marjus Zhaka 48 vjeç dhe Taulant Çela 52 vjeç.
Gjatë kontrollit në banesat e të akuzuarve, policia gjetur 2.9 kg kanabis, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale bashkë me 2 peshore elektronike dhe 4 aparate telefonike celularë.
“Pas një hetimi disa mujor, të ndjekur me metoda speciale të hetimit, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u bë i mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale të pjesëtarëve të një grupi që shpërndante lëndë narkotike në afërsi të institucioneve arsimore në qarkun Fier.
Bazuar në provat e siguruara, Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit, finalizoi operacionin policor të koduar “Clean School”.
Gjatë operacionit u ekzekutuan 4 nga masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata, konkretisht për shtetasit:
K. B., 28 vjeç, D. F., 25 vjeç, M. Zh., 48 vjeç dhe T. Ç., 52 vjeç, të katërt banues në Fier.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e shtetasit E. B., 38 vjeç, banues në Fier, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e personave të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2.9 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 2 peshore elektronike dhe 4 aparate telefonike celularë”, njoftoi Policia.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë







Komente
Komento