Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare

Kuvendi

Miratohet në parim Projektligji për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë

10 o. më parë / 5 nën 2026 17:44
444

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë. 

Në votim 68 deputetë votuan pro këtij projektligji, e një abstenoi. 

Projektligji kalon në fazën e mëtejshme të shqyrtimit parlamentar. 

Pas tri seancave VV-ja voton anëtarët e Listës Serbe në komisione në pako me ata të partive tjera

13 o. më parë / 5 nën 2026 14:46 Nga: Valbona Bytyqi
kuvendi

Më 63 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim Kuvendi i Kosovës ka miratuar zëvendësimin dhe riemërimin e anëtarëve në komisionet parlamentare. 

Në tri seancat kur ka qenë në rend dite emërimi i anëtarëve të Listës Serbe nëpër Komisione, Lëvizja Vetëvendosje (VV) nuk ka votuar. 

Kurse në seancën e mbajtur sot ata janë votuar në pako me anëtarë të komisioneve nga grupet e tjera parlamentare.

Ne seancën e kaluar kjo pikë u pat tërhequr nga rendi i ditës me arsyetimin se do të ketë ndryshime në përbërjen e komisioneve. 

Kusari-Lila: Nëse nga nesër nuk ka ulje të çmimit të naftës, do ta kthejmë çmimin tavan

14 o. më parë / 5 nën 2026 13:43 Nga: Valbona Bytyqi
Mimoza Kusari-Lila

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar rikthimin e çmimit tavan për naftën, nëse rënia e çmimeve në tregun botëror nuk reflektohet edhe në tregun e Kosovës nga nesër. 

Ajo ka thënë se gjatë dy ditëve të fundit ka nisur rënia e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, ndërsa paralajmëroi se nëse kjo nuk reflektohet në çmimet vendore që nga dita e nesërme, ministria do të ndërhyjë përmes vendosjes së sërishme të çmimit maksimal.

“Pozitive në këto dy ditët e fundit është fillimi i rënies dhe që nga nesër, nëse nuk ka rënie apo reflektim në tregun në Kosovë, ne do ta kthejmë çmimin tavan, pasi kemi bazë ligjore ta bëjmë atë”, deklaroi Kusari-Lila në Kuvendin e Kosovës, pas pyetje nga deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi. 

Ministrja shpjegoi se nga marsi deri më 8 shtator të vitit 2026, Qeveria kishte zbatuar vendimin për çmimin tavan, por pas 8 shtatorit afati kishte skaduar ligjërisht. Pas heqjes së tij, Kusari-Lila ka thënë se Ministria ka vazhduar monitorimin e përditshëm të çmimeve dhe përcaktimin e marzhës së fitimit sipas çmimeve të tregut.

Sipas saj, marzha e naftëtarëve që nga heqja e çmimit tavan nuk e ka kaluar 12 centëshin për litër, ndërsa rritja e fundit e çmimit të naftës në Kosovë, që ka kaluar 1.90 euro për litër, lidhet me shtrenjtimin e saj në tregun botëror.

Kusari-Lila i kundërpërgjigjet Tahirit për nepotizëm: Nëse keni akuza, thuajini me emra

14 o. më parë / 5 nën 2026 13:26
Mimoza Kusari-Lila

Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, i është kundërpërgjigjur shefit të Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahirit, pas kritikave të tij për nepotizëm dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare në Qeveri, duke i kërkuar që akuzat t’i bëjë konkrete dhe me emra, raporton Ekonomia Online.

Kusari-Lila ka kundërshtuar edhe deklaratën e Tahirit se shumica e anëtarëve të kabinetit qeveritar nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e opozitës, duke thënë se një pjesë e tyre kanë pasur përvojë në opozitë parlamentare ose në shoqërinë civile.

“Mora shkas të dal këtu para jush nga deklarimi i shefit të grupit parlamentar të Aleancës, zotit Besnik Tahiri. Demokracia funksionon me institucione funksionale, e pikërisht mangësia jonë kryesore si shtet në dy vitet e fundit ishte mungesa e funksionimit mirëfilltë të Kuvendit si shtet, si demokraci parlamentare. Tani që kemi Kuvend funksional, pozita dhe opozita ballafaqohen me faktet që i paraqesin, por me fakte. Zoti Tahiri na rëndoi neve si anëtarë të kabinetit qeveritar në disa rrafshe. I kërkoi grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje që të na mbajë në llogari për demokraci të brendshme, për arsye se shumica prej nesh asnjëherë s’kemi qenë pjesë e opozitës. Nuk është fakt, është deklaratë e gabuar, është opinioni i tij ndoshta që mundohet t’ju tregojë të tjerëve. Prej kreut të qeverisë, zotit Albin Kurtit, si opozitar prej kohës së regjimit të Slobodan Millosheviqit, e në vazhdimësi në periudhën e demokracisë pas çlirimit dhe pastaj formimit të institucioneve, edhe 12 përfaqësues të kabinetit qeveritar, ose kanë qenë opozitë parlamentare ose opozitë nga shoqëria civile. Prandaj të hedhësh një deklaratë të tillë për kolegë që kemi qenë ose që ju kemi bërë opozitë dikur qeverisë tuaj nuk është e saktë. Dhe faktet në parlament, edhe kudo tjetër, janë më të rëndësishme se opinionet për arsye se opinionet të pambështetura pa fakte bien. Kjo është e para”, tha ajo.

Duke iu referuar akuzave për nepotizëm dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, Kusari-Lila tha se ato duhet të konkretizohen, duke kërkuar nga Tahiri që të përmendë emra dhe raste konkrete.

“E dyta, për akuzat për nepotizëm e keqpërdorim të pozitës zyrtare. Gjithashtu, fatmirësisht jemi demokraci funksionale, ku fjala e lirë thuhet edhe këtu, edhe jashtë, pa ndoshta pa kontroll më shumë se sa që do të duhej të kishte nevojë në realizim, natyrisht të vërtetës, por që të gjitha mund t’i thuani me emër. Por nëse deklaroheni për një deklarim të përgjithshëm, nepotizëm e keqpërdorim, duke qenë ne këtu prezent e duke heshtur, nuk më duket se është në rregull”, tha ajo.

Në anën tjetër, Tahiri ka insistuar se ka raste konkrete të punësimeve në institucione dhe ka paralajmëruar se do t’i bëjë publike emrat.

“Ministria, vetëm kur u kon me LDK-në. Kur 10 vjet s’u kon në pozitë. Unë po ju kërkoj juve, për shkak se do të vijë me emra, po lexoni lajmet dhe kështu shihni cili është punësimi momental në qeveri, në institucionet e pavarura dhe cili profesionist hyn në institucionet kryesore. Kjo është kërkesë decidive për ju. Për shkak se ne e dimë— Ne e dimë saktësisht listën se kush ku është. Ju keni persona me aktakuzë në ministrinë e juve që e mbani. Pse e mbani, ministre? Nuk keni qenë opozitë, keni qenë shoqëri civile”, tha Tahiri. /EO

Zemaj: Pacientët detyrohen t’i blejnë vetë barnat, miliona euro të buxhetit për shëndetësi nuk shpenzohen

14 o. më parë / 5 nën 2026 13:13
Armend Zemaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kritikuar menaxhimin e sistemit shëndetësor në Kosovë, duke thënë se pavarësisht buxhetit prej 358 milionë eurosh në vitin 2025, qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave dhe shërbimeve esenciale, raporton Ekonomia Online.

Duke iu referuar raportit të progresit të Komisionit Evropian, Zemaj ka thënë se një pjesë e mjeteve të ndara për shëndetësi nuk është shpenzuar, ndërsa pacientët detyrohen t’i blejnë vetë barnat dhe terapitë. Sipas tij, kjo gjendje dëshmon për probleme në menaxhimin dhe funksionimin e sistemit shëndetësor.

“Ka të bëjë me pasqyrën serioze të gjendjes në të cilën ndodhet shëndetësia në Kosovë sipas raportit të progresit. Raporti i progresit nuk paraqet thjesht disa vërejtje teknike, por evidenton problemet e thella në menaxhimin, planifikimin dhe funksionimin e sistemit tonë shëndetësor. Ky raport e rrëzon propagandën qeveritare për suksesin në shëndetësi dhe vendos përballë realitetit të spitaleve, pacientëve dhe profesionistëve shëndetësorë. Të nderuar kolegë, qytetarë, çfarë kemi sot? Kemi buxhet më të madh, por barna esenciale që vazhdojnë të mungojnë. Kemi planet e miratuara për programe që nuk zbatohen. Kemi premtime për digjitalizim, por sistem informativ shëndetësor të fragmentuar dhe jo funksional. Kemi institucione që flasin për reforma, por nuk arrijnë asnjëherë t’i zbatojnë ato. Komisioni Evropian konstatoi se në vitin 2025 buxheti për shëndetësi arriti në 358 milionë euro. Megjithatë, një pjesë e mjeteve nuk ka arritur të shpenzohet, ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave dhe shërbimeve esenciale. Kjo është pyetja që duhet t’i përgjigjet qeveria: si është e mundur që kemi miliona në dispozicion, ndërsa pacientët detyrohen t’i blejnë vetë barnat dhe terapitë? A është një pyetje paaftësia, keqmenaxhimi apo tenderët njëburimor? Unë besoj se është kjo e fundit”, tha Zemaj. /EO

Tahiri: Gjyqi ndaj katërshes së UÇK-së nuk ka të bëjë me zbardhjen e së vërtetës

14 o. më parë / 5 nën 2026 13:01
arian tahiri

Photo: Driton Paçarada

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se gjyqi ndaj katërshes së UÇK-së nuk ka lidhje me zbardhjen e së vërtetës.

Ai ka thënë se atyre mund t’ua vrasin kohën, por jo kontributin dhe emrat.

“Beteja në Hagë i tejkalon partitë. Duhet të jemi në betejë bashkërisht. Sot, kur po hyjnë në vitin e shtatë të kësaj pritjeje, duhet të kemi një mesazh në drejtësinë ndërkombëtare. Kosova u besoi, por sot pyesim se ku janë standardet e barabarta. A është kjo Evropa e vlerave që na është kërkuar? Nuk po u kërkojmë ta mbani anën e askujt, por ta mbani anën e drejtësisë”, ka thënë ai.

Tahiri kërkon llogaridhënie nga pushteti për rastin e Astrit Deharit

15 o. më parë / 5 nën 2026 12:51
Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se në shënimin e 10-vjetorit të vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari, kërkojnë nga shteti drejtësi për rastin e tij. 

Por, ai gjithashtu ka thënë se kërkojnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga shumica parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje. 

Tahiri ka thënë se për 6 vjet në pushtet Vetëvendosja nuk ka arritur ta sjellë një evidencë të thjeshtë për atë se çfarë ka ndodhur me rastin e aktivistit Dehari. 

“Lëreni këtë punë, mos e politizoni, kërkoni përgjegjësi edhe ndaj personave që janë në pushtet tash e gjashtë vjet dhe nuk kanë bërë asgjë për këtë temë. Pra ne kërkojmë drejtësi si ju, por kërkojmë edhe përgjegjësi dhe llogaridhënie”, është shprehu Rahiri në deklarimet jashtë rendit të ditës ne seancën e Kuvendit. 

Tahiri ka folur edhe për Raportin e Kosovës, i cili të mërkurën u është dorëzuar udhëheqësve të shtetit. 

Ai ka thënë se ky është raporti më i keq i mundshëm që i është dorëzuar ndonjëherë Kosovës. 

Lushaku-Sadriu: Raporti i Progresit sivjet, më i dobëti në histori për kah rezultatet

15 o. më parë / 5 nën 2026 12:45
Jehona Lushaku-Sadriu

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e ka cilësuar Raportin e Progresit të këtij viti si më të dobëtin që nga nisja e publikimit të tij, duke thënë se ai pasqyron përsëritjen e dështimeve të Kosovës në fusha të ndryshme.

Ajo ka thënë se, ndonëse vendi është përballur me kriza politike, Qeveria ka qenë në detyrë dhe ka pasur mundësi të përmbushë kushtet dhe të zbatojë reformat e nevojshme për avancimin e Kosovës drejt integrimit evropian.

“Ky raport ishte ndoshta më i dobëti në histori për nga rezultatet, prej kur ka nisur publikimi i tij. Ishte përsëritje e dështimeve që shteti ynë i ka bërë në çdo fushë. Shumë dështime dhe fjalia e duhur është ‘progres i limituar’, siç thotë raporti”, deklaroi Lushaku-Sadriu.

Ajo theksoi se raporti përmban shqetësime që, sipas saj, prekin thelbin kushtetues dhe funksionalitetin e shtetit, duke kërkuar përgjegjësi nga ata që janë në pushtet.

“Të gjithë kemi përgjegjësi, por më së shumti u takon atyre që janë në pushtet”, ka thënë ajo.

Krasniqi: Gjykata Speciale i gjykoi ish-krerët e UÇK-së për postet politike

15 o. më parë / 5 nën 2026 12:41
altin krasniqi

Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi, në 6-vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, ka thënë se Kosova nuk e fitoi lirinë duke pritur që dikush t’ia dhuronte.

Ai ka thënë se Gjykata Speciale nuk dënoi katërshen për veprimet e tyre, por për postet politike që kishin mbajtur.

Krasniqi ka thënë se krerët e UÇK-së janë pengje të një drejtësie ndërkombëtare “e cila me plotë meritë, padrejtësi është”.

“Jo rastësisht Smith këmbëngulte që drejtoria politike e UÇK-së ishte organ mbi organet tjera. Jo rastësisht duan t’i bëjnë përgjegjës personat që në një mënyrë apo tjetër ishin të lidhur me shtabin e UÇK-së. Pasojat e 16 shtatorit nuk ndihen tani, por vetëm pas një kohe të gjatë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Smith, pavarësisht që tha se UÇK-ja nuk ishte në gjyq, ajo që lexoi për 90 minuta vetëm sa e demantoi atë deklarim.