Kompania shtetërore e energjisë e Katarit është në rrugën e duhur për t’u bërë blerësi më i madh në botë i gazit natyror të lëngshëm (GNL) nga SHBA-ja deri në fillim të dekadës së ardhshme, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme po kufizon eksportet e vendit të Gjirit dhe po e shtyn atë të kërkojë burime të reja furnizimi, shkruan FT.
Në fund të tetorit, QatarEnergy nënshkroi dy marrëveshje që rrisin me 7 milionë tonë në vit sasinë e GNL-së amerikane që do të ketë në dispozicion për t’ua shitur klientëve të saj ndërkombëtarë.
Së bashku me pjesën e saj të prodhimit nga projekti Golden Pass në Teksas, ku zotëron 70 për qind të aksioneve, QatarEnergy pritet të kontrollojë 23.7 milionë tonë në vit gaz natyror të lëngshëm nga SHBA-ja deri në vitin 2033. Kjo do ta bëjë atë blerësin më të madh të GNL-së amerikane, sipas kompanisë kërkimore Wood Mackenzie.
Asnjë pjesë e këtij gazi të lëngshëm nuk do të përfundojë në Katar, ku kostoja e prodhimit të gazit mbetet ndër më të ulëtat në botë. Në vend të kësaj, ai do të rishitet dhe do të transportohet drejt vendeve që blejnë gaz të lëngshëm nga jashtë për të prodhuar energji elektrike dhe për të furnizuar industrinë, duke shmangur kështu pikën e ngushtë strategjike të Ngushticës së Hormuzit.
Ky ndryshim nxjerr në pah shkallën në të cilën eksportet e vendit të Gjirit, dikur furnizuesi më i madh në botë i GNL-së, janë prekur nga lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
“Zgjerimi i portofolit të tyre global është pjesë e përpjekjeve për të adresuar perceptimin se ata vareshin tepër nga sistemi i tyre në Katar, duke ndërtuar një portofol të konsiderueshëm furnizimi jashtë Lindjes së Mesme”, tha Jason Feer, drejtuesi global i inteligjencës së biznesit në kompaninë e ndërmjetësimit të energjisë dhe transportit detar Poten & Partners.
Sipas tij, kjo do ta ndihmojë kompaninë të rindërtojë reputacionin si një furnizues i besueshëm, i cili përpara luftës nuk kishte humbur asnjë dërgesë. Ai shtoi se kompania ka të ngjarë të nënshkruajë edhe dy ose tri marrëveshje të tjera në SHBA dhe ndoshta edhe marrëveshje të tjera në vende të tjera.

Eksportet e GNL-së nga Katari kanë rënë këtë vit në më pak se një të tretën e nivelit të tyre të zakonshëm, pasi sulmet iraniane ndaj transportit detar kanë ulur ndjeshëm numrin e anijeve transportuese që kalojnë nëpër ngushticë, e cila është e vetmja rrugë e Katarit drejt klientëve jashtë Gjirit.
Dërgesat e GNL-së nga Lindja e Mesme janë prekur më shumë sesa ato të naftës, pasi nuk ekzistojnë tubacione që lidhin impiantet e eksportit me ato jashtë Gjirit. Gjithashtu, transferimi i GNL-së nga një anije në tjetrën është më i vështirë sesa transferimi i naftës, duke kufizuar sasinë e gazit të lëngshëm që mund të transportohet përmes ngushticës me anë të anijeve.
QatarEnergy ndaloi prodhimin e GNL-së dhe shpalli gjendjen e forcës madhore (force majeure) ndaj blerësve të prekur, disa ditë pas shpërthimit të luftës në fund të shkurtit. Klientët e saj kryesorë, kryesisht në Azi, u detyruan të kërkonin burime alternative furnizimi.
Marrëveshjet e fundit të furnizimit “forcojnë aftësinë tonë për t’u shërbyer klientëve në të gjithë botën”, deklaroi drejtori ekzekutiv i QatarEnergy, Saad al-Kaabi, gjatë ceremonisë së nënshkrimit më 29 tetor.
Kontratat e saponënshkruara do t’i sigurojnë QatarEnergy qasje në GNL-në amerikane duke filluar nga vitet 2030 dhe 2031. Për këtë arsye, ato do të kenë pak ndikim në ndihmën ndaj klientëve që po përballen aktualisht me ndërprerjet e furnizimit në Lindjen e Mesme. Megjithatë, ato mund të shërbejnë si një rezervë mbrojtëse kundër ndërprerjeve të mundshme të eksporteve të Katarit në të ardhmen.
“Aftësia për të tregtuar një portofol furnizimi të diversifikuar gjeografikisht, krahas prodhimit të vet, do t’u japë siguri klientëve të QatarEnergy”, deklaroi Wood Mackenzie.
Në vitin 2023, Katari humbi vendin e furnizuesit më të madh në botë të GNL-së, duke ia lënë atë SHBA-së, e cila ka kryer investime masive në kapacitetet e eksportit. Që atëherë, vendi i Gjirit është përballur me sfidën e ruajtjes së ndikimit në një treg që dikur e dominonte.
Një nga mënyrat përmes së cilës ka kërkuar ta bëjë këtë është zgjerimi i aktivitetit të tregtimit. Në vitin 2020, QatarEnergy krijoi një njësi të posaçme tregtimi dhe, sipas Wood Mackenzie, vitin e kaluar tregtoi më shumë se 20 milionë tonë GNL.
Blerja e GNL-së nga vendi që ia mori Katarit pozicionin si furnizuesi më i madh në botë i shërben gjithashtu objektivit të tij të dytë kryesor: ndërtimit të një biznesi global të gazit, tha Feer.