Gjashtë shtetas shqiptarë janë arrestuar në Gjermani, në kuadër të një hetimi të gjerë për trafikun e lëndëve narkotike, që çoi në zbulimin e pesë plantacioneve të kanabisit me mbi 2.300 bimë. Në pranga përfunduan gjithsej tetë persona në Gjermani, ndërsa 13 të tjerë u arrestuan gjatë kontrolleve të zhvilluara në Francë.
Operacioni u zhvillua nga hetuesit doganorë dhe forcat e policisë në landin e Saarland-it dhe në zonën e Nordpfalz-it. Gjatë kontrolleve në 11 banesa dhe ambiente biznesi, autoritetet zbuluan sasi të konsiderueshme droge, armë dhe para të gatshme.
Mes sendeve të sekuestruara janë rreth 33 kilogramë amfetaminë, 11.5 kilogramë marihuanë dhe afro një kilogram hashash. Gjithashtu, u gjetën MDMA, tableta ekstazi, një presë për prodhimin e tabletave, disa armë dhe rreth 22 mijë euro.
Sipas hetimeve, grupi i dyshuar përdorte ndërtesa të pabanuara për kultivimin e kanabisit, të cilin më pas e shpërndante në zonat kufitare mes Gjermanisë dhe Francës, si dhe në territorin francez. Njëri prej të dyshuarve akuzohet gjithashtu për trafikim të lëndëve narkotike i armatosur.
Hetimi nisi në muajin maj, pas një kontrolli doganor pranë qytetit të Pirmasensit. Gjatë këtij kontrolli, një person u arrestua pasi në bagazhin e automjetit të tij u zbuluan rreth 20 kilogramë marihuanë. Ky rast shërbeu si pikënisje për zgjerimin e hetimeve, të cilat çuan në identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se ishin të përfshirë në rrjetin e trafikut.
Operacioni u shtri edhe përtej kufirit, në Francë. Autoritetet kryen kontrolle në rajonin Grand Est, ku arrestuan 13 persona të tjerë. Prokuroria e Saarbrücken-it dhe Zyra e Hetimit Doganor në Frankfurt am Main bëjnë me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.
Tetë personat e arrestuar në Gjermani u paraqitën përpara një gjyqtari hetues në Gjykatën e Shkallës së Parë në Saarbrücken, i cili lëshoi urdhër-arreste për të gjithë. Megjithatë, njëri prej tyre u la i lirë me masa dhe kushte kufizuese, ndërsa shtatë të tjerët u dërguan në paraburgim.
#Gjermani #Shqiptarët #TrafikDrogash #Kanabis #Policia

