Prokuroria e Posaçme dyshon se biznesmeni Ergys Agasi kishte vënë në dispozicion një rrjet ndërkombëtar në shërbim të interesave të grupit kriminal që drejtohej prej tij.
Komunikimet e Ergys Agasit me dy shtetas izraelitë janë përdorur nga SPAK për të argumentuar rrezikun e arratisjes së ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, nëse ajo do të lihej e lirë dhe jo me masë arrest në shtëpi që është tani në fuqi.
Sipas dosjes, Agasi u tregonte dy izraelitëve për raportin e afërt me Hysenin. Në një mesazh të dërguar më 22 gusht, shtetasit izraelit të regjistruar në telefon si Shalev Israel, Agasi i shkruante: “E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret.”
Ndërsa, në një tjetër komunikim më 6 gusht, përmes aplikacionit “Signal”, Agasi i shkruante izraelitit Srulik Einhorn Koces: “Jemi me fat që këtu e kanë kapur vetë amerikanët dhe e dinë sjelljen e tij dhe diçka tjetër, drejtoresha e shërbimit sekret do të takohet vetë me të dhe do t’i flasë për këtë punë, duke i sjellë prova që prokurori e ka bërë këtë për interesa të tjera.”.
Këtu nuk kuptohet se kujt i referohet Agasi si një njeri që amerikanët e dinë mirë sjelljen e tij, por duket qartë se sipas tij Vlora Hyseni do ta takojë dhe do t’i çojë prova kundër një prokurori që ka hapur një çështje për interesa të vetat. (nuk kuptohet nëse bëhet fjalë për Dumanin apo ndonjë prokuror tjetër të SPAK që kanë nën hetim Agasin).
Sipas SPAK Vlora Hyseni i ka vënë Agasit në dispozicion jo vetëm cilësinë e saj si shefe e SHISH por edhe kapacitetet institucionale të institucionit që ajo drejton.
Po kështu, provat që SPAK ka paraqitur për të lënë në burg shefin e sektorit të laboratorit të Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi lidhen kryesisht me faktin se ai kishte një zell për t’ia çuar ekspertizat zyrtare të hetimeve Agasit edhe para t’i dorëzoheshin vetë Prokurorisë së Posaçme. Kalluçi u la në burg nga Apeli i Posaçëm.
Ndërsa për të akuzuarin tjetër, kamerieri Embro Sulejmani, SPAK thotë që ai jo vetëm i dërgonte ushqim rregullisht por edhe e lëvizte atë me makinë.
Komunikimet ishin të përhershme. Madje interesant është një mesazh i Sulejmanit në drejtim të Agasit ditën e arrestimit në mëngjes kur i thoshtë “Kapo, do gjë?. Ndërsa në darkë kur tashmë Agasi ishte prangosur Embro Sulejmani komunikon me një mik i lehtësuar se nuk e kishte transportuar ai këtë herë Ergys Agasin se ndryshe do ishte kapur. Sulejmani i lirua nga gjykata dhe ndaj tij u vendosën masat e “detyrimi të paraqitjes” dhe ‘ndalim i daljes jashtë vendit”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Report Tv