Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    “Kobra”, snajperisti që lufton për Rusinë, dyshohet se është një person i kërkuar në Bosnje

    Polonia arreston gjashtë persona, dyshohen për spiunazh dhe furnizim të ushtrisë ruse

    Kush është demokratja që synon drejtimin e shumicës demokrate në Kongresin amerikan

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home » “Kobra”, snajperisti që lufton për Rusinë, dyshohet se është një person i kërkuar në Bosnje
    Botë

    “Kobra”, snajperisti që lufton për Rusinë, dyshohet se është një person i kërkuar në Bosnje

    November 5, 2026


    “Duhet t’ia kthejmë Rusisë borxhin për gjithçka që ka bërë për ne ndër vite”, thotë një burrë me nofkën “Kobra”, i cili u shfaq në televizionin rus në fillim të shtatorit, i veshur me uniformë ushtarake dhe me një maskë të zezë, që i mbulonte pjesën e poshtme të fytyrës.

    Në dokumentar, ai prezantohet si snajperist me origjinë nga Bosnje dhe Hercegovina.

    Një hulumtim i Radios Evropa e Lirë për identitetin e tij zbuloi gjurmë që çojnë te Petar Popoviq nga Derventa, i cili kërkohet nga drejtësia e Bosnje dhe Hercegovinës.

    Sipas dokumentarit, “Kobra” shkoi për të luftuar në Ukrainë në fund të vitit 2022, së bashku me Marko Matoviqin, një vullnetar nga Serbia.

    Matoviq u vra në fillim të vitit 2025, gjatë luftimeve në rajonin rus të Kurskut.

    Dokumentari rus u transmetua për herë të parë më 6 shtator në televizionin Zvezda, të cilin Bashkimi Evropian e sanksionoi në vitin 2023, me arsyetimin se kontrollohet nga Ministria ruse e Mbrojtjes dhe përhap propagandë për agresionin rus kundër Ukrainës.

    Dokumentari i lidh marrëdhëniet historike ndërmjet serbëve dhe rusëve, përfshirë luftërat e viteve ‘90 në ish-Jugosllavi, me pjesëmarrjen e sotme të vullnetarëve serbë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

    Pjesëmarrja e tyre në këtë luftë paraqitet si një mënyrë për t’ia kthyer Rusisë ndihmën që, sipas narrativit të dokumentarit, ua ka dhënë serbëve ndër vite.

    “Nuk mund të thuash thjesht ‘faleminderit’ dhe të vazhdosh tutje. Prandaj, shkova të luftoj dhe do të luftoj deri në fund”, thotë “Kobra” në dokumentar.

    Në dokumentar thuhet se “Kobra” ka përvojë luftarake dhe arsimim të lartë ushtarak, si dhe ka shërbyer për vite me radhë në një njësi elitare të Ushtrisë së Serbisë – përgjegjëse për mbrojtjen e zyrtarëve më të lartë shtetërorë.

    Aty, ai kujton se si ishte njohur me Matoviqin gjatë stërvitjeve ushtarake në Serbi dhe si kishte qenë dëshmitar i vrasjes së tij gjatë luftimeve në rajonin rus të Kurskut.

    Dokumentari është shpërndarë edhe në profilin e Instagramit me emrin kobrasniper333.

    Personi që komunikon përmes këtij profili, i konfirmoi Radios Evropa e Lirë se është ushtari i njohur si “Kobra”, që shfaqet në dokumentar.

    Megjithatë, ai nuk e zbuloi identitetin e tij të plotë dhe nuk pranoi të zhvillonte një intervistë përmes video-thirrjes.

    Të dhënat që “Kobra” dha për veten, përputhen me ato të Petar Popoviqit, për të cilin Radio Evropa e Lirë ka raportuar më herët dhe të cilin Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës e kërkon për shkak të bashkimit me ushtrinë ruse.

    “Kobra” ka thënë, ndër të tjera, se ka lindur në vitin 1988 dhe ka konfirmuar se është nga Derventa, në veri të Bosnje dhe Hercegovinës.

    Këto të dhëna përputhen me informacionet zyrtare për Popoviqin, të siguruara nga REL-i.

    Ai ka thënë se është larguar nga qyteti i lindjes në vitin 2002, por nuk ka pranuar të tregojë se në cilën brigadë të ushtrisë ruse shërben aktualisht.

    Dokumentarin rus e ka shpërndarë edhe në kanalin e tij në YouTube, me emrin “VDV-sniper”, ku në vitin 2019 ka publikuar edhe dy video, ku duket me një motoçikletë në Derventa.

    Gjurmët që çojnë te Popoviçi

    Në maj të vitit 2025, Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës i kërkoi Gjykatës së vendit lëshimin e një fletarrestimi ndërkombëtar për Popoviqin. Pas kësaj, kërkesa iu dërgua INTERPOL-it.

    Megjithatë, organizata ndërkombëtare e policisë e refuzoi kërkesën e Bosnje dhe Hercegovinës, duke iu referuar rregullit që ia ndalon përfshirjen në raste me karakter politik, ushtarak, fetar ose racor.

    Kjo bëhet e ditur në një dokument që Radio Evropa e Lirë e siguroi më herët.

    Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se rasti kundër Popoviqit mbetet i hapur dhe se po ndërmerren veprime për gjetjen e tij dhe ndjekjen penale.

    Siç konfirmuan për REL-in burime të sigurisë ukrainase, Popoviq nënshkroi një kontratë me forcat ruse më 17 gusht 2023, por nuk dihet se kur dhe në çfarë rrethanash është larguar nga Bosnje dhe Hercegovina.

    Në Facebook, REL-i gjeti një profil me emrin “Petar (Kobra) Popoviq”, ku postimet nuk janë të dukshme.

    I vetmi informacion i disponueshëm është se ai ka studiuar në Akademinë Ushtarake në Beograd, por REL-i nuk arriti ta konfirmonte këtë të dhënë me institucionin përkatës.

    I pyetur nga REL-i nëse është Petar Popoviq, “Kobra” nuk dha përgjigje, por as nuk e mohoi këtë gjatë komunikimit të mëtejshëm.

    Ai konfirmoi se ishte në dijeni që, vitin e kaluar, i ishte kërkuar INTERPOL-it që ta shpallte në kërkim ndërkombëtar.

    “Në INTERPOL nuk janë budallenj. Edhe ata e kuptuan se çfarë qëllimi fshihej pas kësaj kërkese. Përndjekje mbi baza kombëtare”, shkroi ai në komunikimin me REL-in.

    I pyetur nëse ka frikë se mund të ndiqet penalisht në Bosnje dhe Hercegovinë për shkak të bashkimit me ushtrinë ruse, ai tha se nuk ka qenë në Derventa që tetë vjet dhe se nuk ka arsye të kthehet në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Ai pretendoi, gjithashtu, se ka marrë shtetësinë ruse dhe ka hequr dorë nga ajo e Bosnje dhe Hercegovinës.

    Megjithatë, REL-i nuk arriti t’i verifikonte në mënyrë të pavarur këto pretendime.

    Personazhi kryesor i dokumentarit

    Në fotografitë dhe videot e publikuara, “Kobra” shfaqet me një maskë që mban një emblemë të ngjashme me simbolin e njësisë speciale të policisë ushtarake serbe, “Kobrat”.

    Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk pranoi të komentonte për këtë çështje.

    Pasi “Kobra” u shfaq në dokumentarin rus në fillim të shtatorit, për të foli edhe producentja Ekaterina Gabel, në një intervistë për televizionin rus, më 16 tetor.

    Ajo tha se fillimisht ishte planifikuar që “Kobra” të ishte personazhi kryesor i dokumentarit, por ai kishte këmbëngulur që në qendër të tij të ishte Matoviqi, bashkëluftëtari i tij i vrarë.

    Gabel e përshkroi “Kobrën” si ushtarak profesionist, oficer dhe të diplomuar në Akademinë Ushtarake në Beograd.

    Megjithatë, Radio Evropa e Lirë nuk arriti t’i verifikonte në mënyrë të pavarur këto pretendime.

    “Kobra” ishte shfaqur edhe më herët në mediat ruse.

    Në vitin 2025, fondacioni rus “Trashëgimia jonë” publikoi një video ku ai tregonte se ishte plagosur më 15 korrik 2024, gjatë luftimeve në zonën e Soledarit, në rajonin ukrainas të Donjeckut.

    Deklarata e tij, e regjistruar në një kishë në Moskë, u publikua atëkohë edhe në një gazetë të Ministrisë ruse të Mbrojtjes. Në artikull, ai paraqitej si vullnetar serb dhe snajperist i një njësie speciale, me nofkën e luftës “Kobra”.

    Ende asnjë dënim për pjesëmarrje në luftën në Ukrainë

    Bosnje dhe Hercegovina nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e shtetasve të saj që kanë shkuar për të luftuar në Ukrainë.

    Bazuar në informacionet e institucioneve ukrainase dhe në hulumtimet e veta, Radio Evropa e Lirë ka identifikuar rreth 20 shtetas të Bosnje dhe Hercegovinës që kanë luftuar ose vazhdojnë të luftojnë në anën e Rusisë, që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, më 2022.

    Në Bosnje dhe Hercegovinë, bashkimi me formacione të huaja ushtarake përbën vepër penale, e cila dënohet me të paktën tre vjet burgim.

    Deri më tani, autoritetet e vendit kanë shqiptuar dhjetëra vendime gjyqësore, kryesisht ndaj personave të kthyer nga Siria dhe Iraku, të cilët u janë bashkuar grupeve terroriste në këto vende.

    Megjithatë, ende nuk ka asnjë vendim dënues për pjesëmarrje në luftën në Ukrainë.

    Një nga rastet që u trajtua nga drejtësia ishte ai i Dario Ristiqit nga Modriça.

    Por, në prill, Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës refuzoi ta konfirmonte aktakuzën ndaj tij, pasi konstatoi se ai kishte shtetësi ruse në kohën kur iu bashkua ushtrisë së Rusisë./Rel/

    kobra Rusia
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    “Kobra”, snajperisti që lufton për Rusinë, dyshohet se është një person i kërkuar në Bosnje

    November 5, 2026

    Polonia arreston gjashtë persona, dyshohen për spiunazh dhe furnizim të ushtrisë ruse

    November 5, 2026

    Kush është demokratja që synon drejtimin e shumicës demokrate në Kongresin amerikan

    November 5, 2026

    Pas humbjes së republikanëve, Rubio shqyrton largimin për garën presidenciale të vitit 2028

    November 5, 2026
    Mos e humb
    Aktualitet October 16, 2026

    Kaos në aeroportin e Rinasit administruar nga Kastrati! 10 fluturime të anuluara drejt Italisë, pasagjerët pa informacion

    Kaos dhe pakënaqësi në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, i cili administrohet nga Kastrati Group, ku…

    Çfarë pritet? Ilegaliteti “ngrin” prej 10 ditësh në Shqipëri! Mbyllen bastet dhe Call Centerat, bien transaksionet me Kriptomonedha

    Dosja/ Biznesmeni Meqemeja i dha Ahmetajt 140 mijë euro! SPAK: Shpërblim për Inceneratorin e Fierit përmes shitjeve fiktive

    ALERT në Slloveni për VIPA Flips të Kosovës, kanë përmbajtje të alergjenësh. Produkti hiqet nga tregu

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Mërkuri dhe Afërdita në prapavijë, këto dy shenja do të përjetojnë një tronditje të fortë

    Surpriza në dashuri, mundësi të reja në karrierë dhe lajme të mira për financat! Çfarë kanë rezervuar yjet për 12 shenjat

    Një takim i papritur mund të ndryshojë gjithçka: Horoskopi i së dielës për 12 shenjat

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.