Jonice Webb Ph.D.
Vajza e Norës u kthye nga shkolla e trishtuar. Një shoqe nuk i kishte ruajtur vendin në tavolinë gjatë drekës dhe, sapo u ulën në kuzhinë, ajo nisi t'i tregonte të gjitha.
“Nuk ia vlen të mërzitesh për këtë”, i tha Nora. “Nesër do të uleni bashkë.”
Vajza nuk foli më për këtë dhe u ngjit lart për të bërë detyrat e shtëpisë. Nora vazhdoi ditën e saj, e lehtësuar që e bija kishte pushuar së qari.
Asgjë në këtë bisedë nuk duket e dëmshme dhe pikërisht kjo e bën problemin kaq të padukshëm.
A ndodh që edhe ju t'i përgjigjeni fëmijës suaj ashtu si Nora?
Nëse po, nuk jeni aspak vetëm. Si psikologe e specializuar prej vitesh në neglizhencën emocionale gjatë fëmijërisë, kam parë se kjo mënyrë e trajtimit të ndjenjave të fëmijëve përcillet në heshtje nga një brez te tjetri.
Inteligjenca emocionale (IE) është aftësia për të kuptuar dhe menaxhuar emocionet dhe marrëdhëniet, si tuajat, ashtu edhe të të tjerëve. Kam vënë re se ajo është më e rëndësishme për suksesin dhe kënaqësinë në jetë sesa inteligjenca e përgjithshme. Për këtë arsye, inteligjenca emocionale është një aftësi shumë e rëndësishme që prindërit duhet t'ua mësojnë fëmijëve.
Lajmi i mirë është se fëmijët e zhvillojnë vetvetiu inteligjencën emocionale kur rriten nga prindër që e zotërojnë atë. Prindërit me inteligjencë emocionale janë në gjendje të kuptojnë se çfarë ndien fëmija i tyre dhe pse ndihet ashtu. Mënyra se si ata reagojnë, duke treguar mirëkuptim ndaj emocioneve të fëmijës, shërben si shembull dhe i mëson atij se si t'i dallojë, kuptojë dhe trajtojë në mënyrë të shëndetshme ndjenjat e veta dhe të të tjerëve (Zinsser et al., 2021).
Lajmi i keq është se një prind që ka vështirësi me inteligjencën emocionale mund të mos ketë aftësitë e nevojshme për t'ia mësuar ato fëmijës. Me fjalë të tjera, nuk mund t'i mësosh fëmijës diçka që nuk e di vetë. Kështu, mungesa e inteligjencës emocionale përcillet vetvetiu nga një brez te tjetri.
Neglizhenca emocionale gjatë fëmijërisë
Një mënyrë për të mos ia mësuar fëmijës rëndësinë e emocioneve është thjesht t'i shpërfillni ato gjatë rritjes së tij, si në rastin e Norës. Kjo quhet neglizhencë emocionale gjatë fëmijërisë. Nuk ka të bëjë me atë që i bëni fëmijës, por me atë që nuk bëni për të.
Nëse ndodh shpesh që të mos vini re se fëmija juaj është i mërzitur, i trishtuar, i zemëruar, i lënduar apo në ankth, në mënyrë të pavetëdijshme po i përcillni mesazhin se trishtimi, zemërimi, dhimbja apo ankthi i tij nuk kanë rëndësi. Po e mësoni të shpërfillë ndjenjat e veta.
Fëmijët që përjetojnë neglizhencë emocionale rriten duke u përballur me vështirësi të ndryshme, njëra prej të cilave është mungesa e inteligjencës emocionale. Si të rritur, ata kanë gjithashtu vështirësi me ndjenjën e tepruar të fajit dhe fajësimin e vetes, ndjenjën e boshllëkut dhe mungesën e përgjithshme të gëzimit në jetë.
Nëse e gjeni veten në këtë përshkrim, ju lutem ta dini se nuk është faji juaj. Kur ndjenjat shpërfillen në një familje, askush që rritet në atë mjedis nuk mëson se si funksionojnë emocionet. Ndoshta kjo është pikërisht ajo që ju ka ndodhur.
Asnjë prind që e do fëmijën e tij nuk dëshiron ta çojë atë drejt një përvoje të tillë. Por prindërimi është ndoshta detyra më e ndërlikuar në botë. Në fakt, vetë procesi i rritjes së fëmijëve bën që edhe prindërit më të dashur t'u përcjellin atyre pikat e tyre të forta dhe të dobëta. Shpesh, e vetmja mënyrë për ta ndërprerë këtë cikël është të bëni një përpjekje të vetëdijshme për të vepruar ndryshe.
Tri gjëra që mund të filloni të bëni
1. Kushtojini vëmendje fëmijës.
Përpiquni të njihni sa më mirë natyrën e vërtetë të fëmijës suaj. Çfarë i pëlqen dhe çfarë nuk i pëlqen? Çfarë e zemëron, çfarë e frikëson dhe me çfarë ka vështirësi? Ndani me të këto vëzhgime pa e gjykuar, në mënyrë që fëmija ta shohë veten përmes syve tuaj dhe të kuptojë se sa mirë e njihni.
Përfitimi për jetën: Fëmija do ta shohë veten të pasqyruar në sytë tuaj dhe do të kuptojë se kush është. Do të mësojë se, pavarësisht pikave të forta dhe të dobëta, është i denjë për dashuri dhe është i vlefshëm ashtu siç është. Kjo do t'i japë besim në zgjedhjet e jetës dhe do ta ndihmojë të përballojë vështirësitë.
2. Krijoni një lidhje emocionale me fëmijën tuaj.
Përpiquni të ndieni atë që ndien fëmija juaj (empati), pavarësisht nëse jeni dakord me të apo jo. Kur arrini të kuptoni dhe të përjetoni emocionin e fëmijës, ai do të ndiejë menjëherë një lidhje më të fortë me ju.
Përfitimi për jetën: Fëmija do të mësojë të tregojë empati dhe do të krijojë marrëdhënie më të shëndetshme gjatë gjithë jetës.
3. Përgjigjuni në mënyrën e duhur nevojave emocionale të fëmijës.
Mos i gjykoni ndjenjat e fëmijës si të drejta apo të gabuara. Përpiquni të kuptoni se çfarë fshihet pas tyre. Ndihmojeni fëmijën t'i emërtojë emocionet që po përjeton. Ndihmojeni t'i menaxhojë ato.
Përfitimi për jetën: Fëmija do të krijojë një marrëdhënie të shëndetshme me emocionet e veta. Do ta kuptojë natyrshëm se ndjenjat e tij kanë rëndësi dhe do të mësojë si t'i shprehë me fjalë dhe t'i menaxhojë.
Nëse këto tri këshilla ju kujtojnë diçka që ju vetë nuk e keni përjetuar gjatë fëmijërisë, mos u dëshpëroni. Mund t'i mësoni të gjitha këto tani, në të njëjtën kohë me fëmijën tuaj. Filloni duke vënë re ndjenjat tuaja dhe duke i shprehur ato me fjalë. Sa më shumë ta praktikoni këtë me veten, aq më natyrshëm do ta bëni edhe me fëmijën tuaj.
Nuk bëhet fjalë për të qenë prindër të përsosur
Sigurisht, asnjë prind nuk mund t'i zbatojë këto këshilla në mënyrë të përsosur. Çështja nuk është përsosmëria, por përpjekja. Vetë përpjekja është një shenjë dashurie dhe kujdesi. Kur fëmija ju sheh duke u përpjekur të kuptoni ndjenjat e tij ose t'i përjetoni ato bashkë me të, pavarësisht nëse ia dilni apo jo, ai merr një mesazh shumë të rëndësishëm: Ndjenjat e tua kanë rëndësi për mua.
Dhe ajo që fëmija do të kuptojë është: Ti ke rëndësi. Ai do ta përvetësojë këtë njohuri të çmuar, e cila do ta ndihmojë dhe do t'i japë forcë gjatë gjithë jetës. Një version i këtij shkrimi është publikuar edhe në emotionalneglect.com. / Psychology Today – Syri.net
© SYRI.net