Një plan për dëbimin e dhjetëra shtetasve afganë nga Shtetet e Bashkuara është pezulluar përkohësisht nga një gjykatëse federale në Nju Jorku. Vendimi vjen pas paralajmërimeve të disa ligjvënësve amerikanë dhe organizatave për të drejtat e njeriut se kthimi i tyre në Afganistan ose në Pakistanin fqinj mund t'u rrezikojë jetën. Gjykatësja Valerie Caproni, nga Gjykata Federale e Qarkut për Distriktin Jugor të Nju Jorkut, vendosi që asnjë plan për dëbimin e shtetasve afganë në Afganistan ose Pakistan të mos zbatohet deri më 7 nëntor. Disa media kanë raportuar se autoritetet amerikane planifikojnë të dëbojnë 150 afganë me një avion nga Luiziana drejt Pakistanit, e më pas drejt Afganistanit.