Leja për funksionimin e trenit për turistët, BKH zbarkon në banesën e nënkryetarit të Bashkisë së Sarandës Paketa ligjore antidhunë e qeverisë ndaj protestuesve është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese nga të rinjtë, ku kërkohet së pari pezullimi i tre akteve normative deri në rrëzimin e tyre.
Dy grupime studentësh së bashku me 4 organizata të shoqërisë civile dorëzuan tre ankime në Kushtetuese për masat e mazhorancës, të cilat i vlerësojnë në shkelje të të drejtave të njeriut duke ndëshkuar edhe protestuesit paqësor.
Gjatë një komunikimi për mediat, ata u shprehën se kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të pezullohet zbatimi i dispozitës. Sipas të rinjve protestues, këto tre akte të ndryshme kanë një mesazh të përbashkët, kush ngre zërin kundër pushtetit duhet të ketë frikë.
“Tre akte të ndryshme, me një mesazh të përbashkët: kush ngre zërin kundër pushtetit, duhet të ketë frikë nga pasojat. Qeveria thotë se me këtë paketë “protesta paqësore mbrohet” dhe se “përgjegjësia është gjithnjë vetjake”, paketa “antidhunë” ndëshkon edhe ata që nuk kanë ushtruar dhunë”, tha njëri nga studentët.
Ndërsa një studente tjetër argumentoi se të protestosh nuk është faj dhe se ata që protestojnë nuk mund të trajtohen si armiq.
“Kërkojmë që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi. I kërkojmë gjithashtu që, deri në vendimin përfundimtar, të pezullojë zbatimin e dispozitave për të cilat kemi kërkuar pezullim. Edhe nëse Kuvendi i miraton aktet normative, ankimet nuk mbeten pa objekt, i kemi kërkuar Gjykatës ta shtrijë kontrollin edhe te ligji miratues. Një brez i tërë të rinjsh po e nis jetën përballë një shteti që, në vend që t’u garantojë hapësirë për debat, kundërshtim e pjesëmarrje demokratike, u përgjigjet me dhunë e frikë. Nuk duam të rritemi duke mësuar se të kundërshtosh pushtetin është faj dhe se pjesëmarrja në protestë është arsye për t’u trajtuar si armik”, u shpreh ajo.
Studentët e grupimeve “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor” bëjnë me dije se kanë nënshkruar tre ankime së bashku me katër organizata të shoqërisë civile: Qendrën Res Publica, Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë dhe EcoAlbania.
Studentët kundërshtojnë aktet e qeverisë që i japin të drejtën policisë për kufizimin e tubimeve rreth institucioneve, gjobat deri në 500 mijë lek, ndëshkimin për fshehjen e fytyrës dhe qëndrimin në protesta të dhunshme apo regjistrin elektronik për pengimin e protestuesve për të dal jashtë vendit.
Të rinjtë ankimues thonë se nuk do të heshtin përballë padrejtësive dhe kërkojnë që GJykata Kushtetuese t’i shqyrtoj ankimet me përparësi.
Top Channel