Presidenti Bajram Begaj priti ambasadorin e Brazilit, Fabio Vaz Pitaluga, dhe ambasadoren e re të Danimarkës, Louise Elisabeth Rigtrup Holmsgaard, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Gjatë takimit me ambasadorin brazilian, Begaj i uroi një mandat të suksesshëm në Shqipëri dhe përcolli urimet për rizgjedhjen e Presidentit të Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva. Kreu i Shtetit vlerësoi marrëdhëniet miqësore mes Shqipërisë dhe Brazilit, në një vit që shënon 65-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Begaj shprehu besimin se dialogu politik do të intensifikohet dhe bashkëpunimi ekonomik e tregtar do të forcohet.
Ndërkohë, gjatë takimit me ambasadoren daneze, Presidenti e cilësoi rihapjen e ambasadës së Danimarkës në Tiranë si një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe si shprehje të vullnetit për zgjerimin e bashkëpunimit.
Begaj vlerësoi marrëdhëniet politike me Danimarkën, bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe mbështetjen e vazhdueshme daneze për reformat dhe forcimin e institucioneve demokratike në Shqipëri. Presidenti shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e Danimarkës ndaj procesit të integrimit evropian të vendit.
Në takim u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe u riafirmua angazhimi i përbashkët për sigurinë euroatlantike.






Komente
Komento