Transformimi i Integruar i Durrësit, i njohur si projekti TID, synon rijetëzimin e zonës historike dhe krijimin e një hapësire të integruar arkeologjike dhe turistike, që përfshin zonën e Amfiteatrit dhe Bulevardin Epidamn, në Durrës. Realizimi i tij ka hasur në kundërshtime të njëpasnjëshme të disa dhjetra familjeve që preken. Banorët nuk pranojnë prishjen e banesave, vlerën e kompensimit dhe procedurat e ndjekura për shpronësimet.
Ministri i Kulturës Blendi Gonxhja deklaroi sot se qeveria do ta realizojë atë, duke shpjeguar dhe hapat që do të ndërmerren për t mbajtur në konsiderat kundërshtitë e banorëve
“Projekt madhor për ne konsiderohet projekti TID, që e kemi prioritet dhe do ta çojmë në fund. Do ketë rishikim të vlerës së shpronësimit apo informacion shterrues për qytetarët që kanë qenë pjesë e kundërshtive për një pjesë të projektit TID. Është projekt madhor i portës hyrëse për turizmin dhe imazhin e gjithë Shqipërisë, strategjik nga pikëpamja kulturore e ekonomike" tha Gonxhja.
Probleme, por të një natyre tjetër, janë shfaqur edhe në Vlorë për Muzeun Hebraik të Vlorës, një projekt që synon të dokumentojë dhe promovojë historinë e pranisë hebraike në Shqipëri, mikpritjen e shqiptarëve dhe traditën e besës gjatë periudhave të vështira historike, veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur shumë hebrenj gjetën strehim në vendin tonë.
Këtu, një grup banorësh, kanë ngritur pretendimin se Muzeu Hebraik po ngrihet në godinën e Klubit Patriotik “Labëria”. Por autoritetet kanë sqaruar publikisht se bëhet fjalë për një tjetër godinë, ngjitur me të.
Megjithatë, çështja është komplikuar nga ndërhyrja e Gjykatës Administrative e cila ka pezulluar punimet pas një padie nga banorët.
“Me gjithë ndalesën e përkoshme të gjithë gjërat do të sqarohen. Do t’u japim kohën të gjithëve, do të respektojmë procesin gjyqësor, që ka marrë vendim dhe jemi të bindur që shumë shpejt puna do vijojë dhe nuk është muze i asnjë shtetasi të huaj, por është muzeu i historisë sonë, i besës shqiptare" tha Gonxhja.
Përtej këtyre dy projekteve, ministri bëri të ditur se në Vlorë parashikohen edhe ndërhyrje për rijetëzimin e kalave, muzeun e Vunoit, hapjen e kalasë së Borshit dhe restaurimin e kishës së Zvërnecit.
Sa i përket financimit, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit do të ketë në dispozicion për vitin 2027 një buxhet prej 7.65 miliardë lekësh, me rritje 3.5% krahasuar me vitin aktual. Prej tyre, 2.74 miliardë lekë janë parashikuar për investime publike, ndërsa trashëgimia kulturore përfiton një fond rekord prej 2.08 miliardë lekësh, ose 80% më shumë se në vitin 2026.
Projektbuxheti parashikon gjithashtu përfundimin e Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, rikthimin në funksion të shtatë kinemave publike dhe modernizimin e menaxhimit të turizmit përmes platformës digjitale eVisitor.







Komente
Komento