Kërrcet grushti në burgun e Peqinit, kunati i Altin Hajrit godet vëllain e “Rrumit të Shijakut”

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 05.11.2026, 13:35

Një përplasje fizike mes dy të paraburgosurve është regjistruar në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Në konflikt janë përfshirë Julian Gjoshi, kunati i Altin Hajrit, dhe Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth një javë më parë, në ambientet e përbashkëta të institucionit penitenciar. Fillimisht, mes dy të paraburgosurve ka pasur një debat verbal, i cili më pas ka degjeneruar në përplasje fizike.

Sipas burimeve në media, Julian Gjoshi i është afruar Vullnet Muçës dhe e ka goditur me grusht. Deri më tani, motivet që çuan në këtë konflikt mbeten të paqarta.

Incidenti ka vënë në lëvizje autoritetet e burgut, ndërsa rasti mësohet se është referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.

Përplasja tërheq vëmendje edhe për shkak të lidhjeve familjare të dy personave. Julian Gjoshi është kunati i Altin Hajrit, ndërsa Vullnet Muça është vëllai i Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”.

Ky i fundit është përmendur në disa dosje të bujshme kriminale dhe i mbijetoi atentatit pranë mbikalimit të Shkozetit, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy të tjerë, mes tyre edhe deputeti i PD-së, Arjan Ndoja.

Ndërkohë, Vullnet Muça është nën akuzë nga SPAK për përfshirje të dyshuar në një skemë të tjetërsimit të pronave në zonën e Gjirit të Lalzit. Në të njëjtën çështje është i akuzuar edhe vëllai i tij, Aleksandër Laho.

Megjithatë, deri më tani nuk ka të dhëna që përplasja në burg të ketë lidhje me çështjet penale apo konfliktet e personave me të cilët dy të paraburgosurit kanë lidhje familjare. Mbetet për t'u zbardhur motivi i sherrit dhe nëse do të ketë masa të tjera ndaj tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit