Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, pas rrëzimit nga mazhoranca të kërkesës së 41 deputetëve të opozitës për ngritjen e një Komisioni Hetimor për shoqërinë shtetërore KAYO.
Opozita kërkon shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të 8 tetorit 2026, duke pretenduar se mazhoranca ka cenuar të drejtën kushtetuese të pakicës parlamentare për ngritjen e komisioneve hetimore.
Komisioni i kërkuar nga opozita kishte si objekt hetimin e marrëveshjeve të KAYO-s me kompani të tjera, aktivitetin e saj në prodhimin, importin dhe tregtimin e armëve, si dhe mënyrën e përdorimit të fondeve publike.
Një tjetër pikë që opozita kërkon të hetohet janë dyshimet për një skemë të mundshme të trafikut ndërkombëtar të armëve, si dhe përputhshmëria e aktivitetit të kompanisë me detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO.
Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, 41 deputetët argumentojnë se e drejta e pakicës parlamentare për ngritjen e një komisioni hetimor është e garantuar nga Kushtetuta dhe nuk mund të pengohet nga shumica parlamentare.
Opozita kërkon që Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë çështjen dhe të detyrojë Kuvendin të ngrejë Komisionin Hetimor për KAYO-n.













