Zbulohen fytyrat e katër burrave të akuzuar për abuzimin seksual të 49-vjeçares, bashkëshorti e drogonte dhe ua ofronte të panjohurve Google ka vendosur të çaktivizojë automatikisht mjetet e inteligjencës artificiale për nxënësit e shkollave. Vendimi vjen pas kritikave për përdorimin e teknologjisë në arsim, ndërsa shkollat do të kenë të drejtën të vendosin vetë nëse do ta aktivizojnë.
Google tërhiqet nga aktivizimi automatik i inteligjencës artificiale në shkolla, pas kritikave për ndikimin e kësaj teknologjie në procesin mësimor. Gjiganti amerikan i teknologjisë ka njoftuar se mjetet e inteligjencës artificiale, përfshirë Gemini dhe funksionet e tij në platformën Google Classroom, do të jenë të çaktivizuara si parazgjedhje për llogaritë e nxënësve të arsimit parauniversitar.
Vendimi do të zbatohet fillimisht në Shtetet e Bashkuara dhe më pas në të gjithë botën, megjithëse kompania nuk ka përcaktuar ende një datë. Sipas rregullave të reja, do të jenë administratorët e shkollave ata që do të vendosin nëse nxënësit mund të përdorin inteligjencën artificiale gjatë mësimit. Por ndryshimi ka edhe një pasojë tjetër.
Shkollat që zgjedhin të ndalojnë inteligjencën artificiale nuk do të mund t’u ofrojnë nxënësve as motorin e kërkimit Google Search përmes llogarive shkollore, pasi funksionet e AI janë integruar në të. Kjo ka shkaktuar reagime të forta në Shtetet e Bashkuara.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, e ka akuzuar Google se po përdor pozitën dominuese në treg për të imponuar inteligjencën artificiale në shkollat publike. Sipas tij, asnjë kompani nuk duhet të ketë fuqinë të diktojë mënyrën se si edukohen fëmijët. Debati është përshkallëzuar edhe në Kongresin amerikan, ku dy senatorë kanë kërkuar shpjegime nga kompania për aktivizimin automatik të funksioneve të inteligjencës artificiale në pajisjet shkollore.
Më shumë se 150 milionë nxënës në mbarë botën përdorin platformën Google Classroom. Në muajin gusht, kompania kishte zgjeruar përdorimin e Gemini, duke u ofruar nxënësve ndihmë për detyrat, udhëzues studimi, teste praktike dhe materiale të personalizuara.
Por shqetësimet se inteligjenca artificiale mund të përdoret për të anashkaluar procesin e të nxënit kanë shtyrë disa prej distrikteve më të mëdha shkollore amerikane, përfshirë Nju Jorkun dhe Los Anxhelosin, të ndërmarrin masa kufizuese. Google i ka mbrojtur ndryshimet, duke argumentuar se synimi është t’u japë shkollave më shumë kontroll mbi teknologjinë.
Top Channel