Cristiano Ronaldo ka dhënë një mesazh emocionues përmes rrjeteve sociale, duke njoftuar fundin e një kapitulli më shumë se 20-vjeçar me kombëtaren e Portugalisë. Ylli i futbollit botëror ka vendosur t’i japë lamtumirën fanellës që mbajti me krenari për 23 vite, duke e cilësuar këtë rrugëtim si një nga përvojat më të rëndësishme të jetës së tij.
Në letrën e publikuar, Ronaldo ka theksuar se ka ardhur momenti për t’ia lënë fanellën me numrin 7 brezit të ardhshëm.
“Ka ardhur momenti të dorëzoj fanellën me numrin 7. Ajo nuk ka qenë kurrë vetëm imja, por për 23 vite kam pasur privilegjin dhe përgjegjësinë ta mbroj dhe ta mbaj me vete në fushë dhe në të gjithë botën. Sot ka ardhur koha t’ia përcjell brezit të ardhshëm”, shkruan portugezi.
Duke kujtuar rrugëtimin e nisur në vitin 2003, CR7 ka theksuar se eksperienca me kombëtaren nuk ka qenë thjesht një histori ndeshjesh, golash, rekordesh dhe trofesh.
“Kur kthej kokën pas, nuk shoh vetëm ndeshjet, golat, rekordet dhe trofetë. Shoh njerëzit, portugezët që jetojnë jashtë vendit dhe që për 90 minuta ndihen pak më pranë shtëpisë. Shoh miliona tifozë që nuk i kam takuar kurrë personalisht, por që janë bërë pjesë e jetës sime. Sepse, në fund të fundit, futbolli është më shumë se një sport”, shprehet Ronaldo.
Një mesazh që shënon fundin e një epoke për futbollin portugez, pasi Ronaldo ka qenë për më shumë se dy dekada simboli dhe lideri i përfaqësueses luzitane.
