Erjon Vishkulli, i riu që mbeti i plagosur në sy gjatë protestave të dhunshme në Tiranë, ka njoftuar se do t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vishkulli ka bërë të ditur se operacioni do të zhvillohet më 11 nëntor dhe do të jetë vendimtar për rikthimin e shikimit të tij.
“Për të gjithë ata që më kanë pyetur dhe janë interesuar për gjendjen time, ju informoj se më datë 11 nëntor do t’i nënshtrohem një tjetër operacioni në spitalin Gemelli në Romë. Ky do të jetë operacioni vendimtar për shikimin tim, një sfidë shumë e madhe në jetën time. Me besimin te Zoti, shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Falënderimet nga zemra të gjithëve për mbështetjen, mesazhet dhe lutjet!”, shkruan Vishkulli.
Erjon Vishkulli kreu ndërhyrjen e dytë, pas asaj në spitalin e Traumës, në klinikën “Gemelli” në Romë me mbështetje financiare nga qeveria 5 milionë lekë të rinj.

