Vendosni fjalën kyçe....

Çmimi i arit arrin nivelin më të lartë në dy javë



Çmimi i arit u rrit të enjten, duke arritur nivelin më të lartë në më shumë se dy javë, i mbështetur nga dobësimi i dollarit amerikan dhe rënia e interesave të bonove të Thesarit të SHBA-së. Në rritjen e kërkesës për metalin e çmuar ndikoi edhe rënia e fortë e çmimeve të naftës, e cila zbuti shqetësimet për inflacionin.

Sipas Reuters, ari në tregun e menjëhershëm u rrit me 1.7%, duke arritur në 4,130.27 dollarë për ons deri në orën 09:18 GMT, pasi gjatë sesionit preku nivelin 4,146.63 dollarë, më të lartin që prej 20 tetorit. Ndërkohë, kontratat e ardhshme të arit në SHBA, me afat dorëzimi në dhjetor, u rritën me 1.6%, në 4,139.60 dollarë për ons.

Një ditë më parë, ari shënoi rritje prej rreth 3.4%, fitimin më të madh ditor që prej 19 gushtit. Brenda kësaj jave, çmimi i tij është rritur me më shumë se 250 dollarë, pas nivelit më të ulët të një viti, prej 3,869.85 dollarësh për ons, të regjistruar të premten.

Dobësimi i dollarit e bën arin, i cili tregtohet në monedhën amerikane, më të përballueshëm për blerësit që përdorin valuta të tjera. Në të njëjtën kohë, rënia e çmimeve të energjisë zbut presionet inflacioniste dhe ul pritshmëritë që bankat qendrore t’i mbajnë normat e interesit të larta për një periudhë më të gjatë.

Nafta Brent po tregtohej nën 100 dollarë për fuçi, pasi një ditë më parë pësoi rënie prej afro 9%. Lëvizja në tregjet e energjisë lidhet me pritshmëritë se rezultatet e zgjedhjeve afatmesme në SHBA mund të ulin rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit me Iranin.

“Metalet e çmuara janë shfaqur si fituesit kryesorë pas zgjedhjeve në SHBA”, u shpreh Ole Hansen, drejtues i strategjisë së mallrave në Saxo Bank. Sipas tij, rënia e çmimeve të energjisë, zbutja e shqetësimeve për inflacionin dhe normat e interesit, si dhe dobësimi i dollarit dhe i yield-eve të bonove amerikane, kanë mbështetur rritjen e arit.

Investitorët po presin gjithashtu publikimin të premten të të dhënave për punësimin në sektorin jobujqësor në SHBA, të cilat mund të japin sinjale të mëtejshme për drejtimin e politikës monetare të Rezervës Federale.

Edhe metalet e tjera të çmuara shënuan rritje. Argjendi u rrit me 1.1%, në 52.80 dollarë për ons, platini me 1.4%, në 1,518.30 dollarë, ndërsa paladiumi fitoi 1.8%, duke arritur në 1,022.89 dollarë për ons.