Një shpërthim vullkanik shkatërrues, një ujë me ngjyrë blu të jashtëzakonshme dhe një trung peme që qëndron vertikalisht në sipërfaqe prej më shumë se një shekulli. Liqeni i Kraterit në Oregon të SHBA-së është një prej mrekullive natyrore më të veçanta në botë. I vendosur në shtetin e Oregonit, në perëndim të Shteteve të Bashkuara, Liqeni i Kraterit u krijua rreth 7,700 vjet më parë, pas një shpërthimi masiv të malit vullkanik Mazama, pjesë e vargmalit Cascade.

Shpërthimi shkaktoi çlirimin e sasive të mëdha të magmës nga nëntoka, duke dobësuar strukturën e malit dhe duke sjellë shembjen e majës së tij. Në vend të saj u krijua një kalderë gjigante, me diametër rreth 8 deri në 10 kilometra, e cila me kalimin e kohës u mbush nga reshjet e shiut dhe shkrirja e dëborës. Kështu lindi liqeni që njihet sot për bukurinë e tij të jashtëzakonshme. Me një thellësi maksimale prej 594 metrash, ai mban rekordin si liqeni më i thellë në Shtetet e Bashkuara.

Një nga karakteristikat që e bëjnë këtë liqen të veçantë është ngjyra e tij intensive blu. Kjo lidhet me pastërtinë e jashtëzakonshme të ujit dhe thellësinë e madhe. Liqeni nuk furnizohet nga lumenj apo përrenj, por kryesisht nga shiu dhe bora, çka kufizon prurjen e sedimenteve dhe ndotësve. Kur rrezet e diellit depërtojnë në ujë, pjesa më e madhe e ngjyrave të tjera absorbohet, ndërsa drita blu shpërndahet përsëri drejt sipërfaqes, duke krijuar pamjen karakteristike të liqenit. Por një tjetër mister që tërheq vëmendjen e vizitorëve është i ashtuquajturi “Plaku i Liqenit”. Bëhet fjalë për një trung peme halore, rreth nëntë metra të gjatë, që lundron në pozicion pothuajse vertikal. Vetëm një pjesë e vogël e tij, rreth një metër, duket mbi sipërfaqen e ujit.