Alarm për bombë në fluturimin Dublin-Romë, avioni bën ulje emergjente në një bazë ushtarake në Francë
Një avion pasagjerësh i kompanisë Aer Lingus, i tipit Airbus A320, që kryente fluturimin Dublin-Romë, ka ndryshuar itinerarin dhe është ulur në bazën ajrore ushtarake Évreux, në Francë, pas një alarmi për vendosje bombe.
Sipas raportimeve, avioni me numër fluturimi EI402 shpalli gjendje emergjence në hapësirën ajrore franceze, duke transmetuar kodin ndërkombëtar të emergjencës 7700.
Zyra e kryeministrit francez, Sébastien Lecornu, bëri të ditur se situata po monitorohet nga afër pas kërcënimit që detyroi avionin të devijonte nga itinerari fillestar.
Avioni ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dublinit në orën 06:23 dhe pritej të mbërrinte në aeroportin Fiumicino të Romës në orën 10:50.
Autoritetet franceze po ndjekin situatën, ndërsa deri më tani nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi natyrën e kërcënimit apo rezultatet e kontrolleve në avion.
/vizionplus.tv




