VLEN: KE-ja vlerëson përparimin e reformave dhe orientimin evropian të Maqedonisë së Veriut

VLEN e lexon raportin e Komisionit Evropian si vlerësim të punës së institucioneve dhe të rezultateve në zbatimin e Agjendës Reformuese. Në një njoftim për mediat, nga VLEN bëjnë të ditur se dokumenti njeh arritjet në reformën e gjyqësorit, ekonomi, digjitalizim dhe bashkëpunimin rajonal, duke dëshmuar se angazhimi institucional po merr vlerësim nga Brukseli.

Sipas VLEN-it, në Instrumentin për Reforma dhe Rritje, Maqedonia e Veriut bën pjesë mes vendeve që kanë shënuar performancën më të mirë. Mbi 142 milionë euro janë liruar deri në qershor, shumë në të cilën përfshihet edhe parafinancimi. Nga VLEN theksojnë se këto fonde lidhen me përmbushjen e detyrimeve dhe me veprime reformuese të vlerësuara nga Komisioni Evropian, duke ia atribuuar këtë arritje qeverisë aktuale dhe qeverisjes VLEN.

Të lidhura

None found

Në fushën e drejtësisë, VLEN veçon përfshirjen në raport të propozimligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, hartimi i të cilit është udhëhequr nga ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari. Sipas njoftimit, dokumenti vlerëson gjithashtu hapat përpara në reformimin e gjyqësorit, ku përfshihen ligjet e reja për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë. VLEN nënvizon se ligji për Këshillin Gjyqësor u përgjigjet në masë të madhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Angazhimi për përfshirjen graduale në tregun e përbashkët të BE-së është një tjetër element që, sipas VLEN-it, pasqyrohet në raport. Këtë proces e shohin si mundësi për qytetarët dhe bizneset që të përfitojnë nga afrimi me Bashkimin Evropian përpara anëtarësimit të plotë. Dokumenti shënon edhe një rritje ekonomike prej 3,5 për qind, me investimet, ritmin më të shpejtë të punimeve në infrastrukturën rrugore dhe shërbimet e teknologjisë së informacionit si disa prej faktorëve që e kanë nxitur atë.

Për VLEN-in, Korridori 8 dhe zhvillimi i lidhjeve hekurudhore me Kosovën forcojnë ndërlidhjen me Shqipërinë, Kosovën dhe rrjetet evropiane, si dhe krijojnë mundësi për tregti, lëvizje e bashkëpunim. Në njoftim theksohet gjithashtu se Komisioni Evropian vlerëson përafrimin e plotë të Maqedonisë së Veriut me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe e konsideron vendin një partner të besueshëm.

VLEN shprehet se largimi i BDI-së nga pushteti po shoqërohet me një tkurrje graduale të hapësirës së ndikimit të “Botës serbe” në Maqedoninë e Veriut. Sipas tyre, shkëputja nga ky ndikim, krahas forcimit të marrëdhënieve me Kosovën, Shqipërinë dhe partnerët evropianë, përbën pjesë të orientimit politik për të cilin punojnë çdo ditë.


Shtuar më 5.11.2026 09:46

Quantcast