Pasi i dorëzoi kryeministrit Edi Rama progresraportin e publikuar një ditë më parë në Bruksel, ambasadorja e BE-së në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, vlerësoi përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit, ndërsa kryeministri Edi Rama tha se tashmë fati europian është në duart tona. Por, konferenca e përbashkët u përqendrua te protestat, për të cilat diplomatja e BE tha se dhuna nuk ka vend.
“Ishin shqetësimet mjedisore ato që nxitën protestat paqësore të majit, që më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë që kërkonte transparencë dhe llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë. Protestat paqësore janë pjesë e jetës demokratike, por në këtë jetë demokratike dhuna nuk ka vend dhe çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të mbetet proporcional dhe në përputhje me ligjin”, tha de Sousa.
Ambasadorja u kërkoi të gjitha palëve të bëjnë përpjekje të vërteta për të nisur dialogun. Për investimin në Zvërnec, që është kundërshtuar nga protestuesit, ajo tha se do të vlerësohet sipas standardeve të Bashkimit Europian.
“Pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes dialogut të mirëfilltë, ndërsa ajo që u takon institucioneve demokratike është të krijojnë hapësirën e nevojshme për këtë dialog. Ne duhet ta luftojmë këtë polarizim dhe kjo mund të bëhet vetëm me mënyra demokratike, duke gjetur mënyrat që pakënaqësitë të dëgjohen dhe të trajtohen, jo me anën e dhunës”, vijoi ajo.
I gatshëm për të biseduar me këdo që ka shqetësime, Rama tha se dialogu nuk mund të zëvendësohet nga dhuna. Në një përgjigje për gazetaren e Report Tv Raziela Myslimaj, kryeministri tha se dorëheqja nuk mund të imponohet nga dhuna në rrugë, ndërsa përmendi edhe njëherë Iranin si një ndër faktorët që kishte dorë në organizimin e protestave.
“Përfitoj nga rasti për t’i risqaruar të gjithë, lidhur me faktin se në asnjë rast dorëheqja e një kryeministri të zgjedhur demokratikisht nuk imponohet nga rruga, por në rastin tim ka një specifikë tjetër që është ky këtu. Kilometri i fundit i negociatave është i ndarë në 1 000 metra dhe çdo metër është i ndarë në 100 centimetra dhe çdo centimetër do njeriun mbi kokë të fushës përkatëse, sepse këtu është e shkruar e zeza mbi të bardhë: mbyllja e negociatave, objektiv ambicioz, por i arritshëm”, theksoi Rama.
Për t’u dhënë hapësirë shqetësimeve të qytetarëve, kryeministri njoftoi se të premten do të hapë një tjetër dritare dialogu online. Ai pretendoi se tri grupe studentësh janë tërhequr nga takimet me të pas bullizimit dhe kërcënimeve nga grupe të tjera protestuesish.
Lajm në përditësim...
Kryeministri Edi Rama njoftoi se nesër do të hapë një dritare dialogu online për të gjithë ata që duan të bashkëbisedojnë me të. Ai pretendoi se tri grupe studentësh janë tërhequr nga takimet me të pas kërcënimeve dhe bullizimit nga grupe të tjerë protestuesish.
“Nesër do të ndezim një tjetër dritare të dialogut. Dritare të dialogut që u ofrohet atyre që duan të ndërveprojnë me mua për çdo çështje që ata e shohin me rëndësi. Për studentët që kërcënohen nga pseudostudentë që shfaqen në dyert e auditorëve dhe që u çojnë mesazhe të dhunshme kujtdo që mendon ndryshe apo që guxon të hedhë hapin e dialogut.
Tri grupe studentësh janë kthyer pas me dhunë online dhe offline nga këto lloj pseudosh, në përpjekjen e tyre për të ardhur në takim me mua, pa kamera, pa foto, pa njoftim shtypi, thjesht për të biseduar. Tri grupe studentësh me emra dhe mbiemra. Të dekonspiruar, dreqi e merr vesh se si, dhe pastaj të bullizuar në ekstrem.
Një gjë dua të jetë e qartë për të gjithë. Nuk jam më as student, as pedagog, por vij nga një rrugë ku kam qenë student dhe pedagog dhe bashkë me studentët kam dalë kundër një regjimi real, vetëm për një arsye: për të qenë i lirë të them atë që dua, ku të dua.
Kush mendon se me frikën, me trembjen, me kërcënimin, me dhunën do të ketë impaktin më të vogël mbi mua dhe rrugëtimin tonë, i ka bërë të gjitha llogaritë gabim. Ndryshe, do ta marrë përgjigjen hap pas hapi, ligjërisht, edhe penalisht, edhe administrativisht. Edhe ata që bllokojnë rrugët, edhe ata që ngrenë dorën kundër policëve dhe ndërkohë s’duan të dinë për mijëra të tjerë që kanë lirinë e tyre të bëjnë atë që duan, të thonë atë që duan dhe të shkojnë aty ku duan”, tha Rama.
Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, tha se protestat paqësore janë një e drejtë demokratike, ndërsa dhuna është e papranueshme, pavarësisht se nga kush vjen. Ajo u kërkoi të gjitha palëve, pa përjashtim, të bëjnë përpjekje të vërteta për dialog, në mënyrë që pakënaqësitë të dëgjohen dhe të trajtohen.
“Protestat paqësore janë një e drejtë demokratike. Dhuna nuk ka vend në jetën demokratike, pavarësisht se nga kush vjen. Ajo që mungon sot është dialogu dhe të gjitha palët, pa përjashtim, duhet të bëjnë përpjekje të vërteta për të nisur dialogun. Ne duhet ta luftojmë këtë polarizim dhe kjo mund të bëhet vetëm me mënyra demokratike, duke gjetur mënyrat që pakënaqësitë të dëgjohen dhe të trajtohen, jo me anën e dhunës. Protesta kemi edhe në Europë, në shumë shtete. E rëndësishme është të kuptojmë se cilat janë pakënaqësitë dhe të gjejmë mënyrat për t’i trajtuar ato", Sofia Moreira de Sousa
Gjatë konferencës me ambasadoren e BE-së, kryeministri Edi Rama tha se situata në Shqipëri nuk mund të krahasohet me atë në Serbi, ndërsa bëri dallimin mes protestave masive të fillimqershorit dhe atyre që, sipas tij, më pas degraduan në dhunë.
Ai theksoi se qeveria ka marrë masa për t’iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve, duke përmendur uljen e TVSH-së për shportën në 6%, uljen e çmimit të naftës me 32 lekë dhe rritjen e transparencës për projektet në Zvërnec e Sazan.
Rama tha se i ka dëgjuar çdo ditë protestuesit, por nuk ka dëgjuar prej tyre asnjë ide apo program për Shqipërinë, ndërsa theksoi se dorëheqja e një kryeministri të zgjedhur demokratikisht nuk mund të imponohet nga rruga.
Ai deklaroi se përparësia e tij është mbyllja e negociatave me BE-në në vitin 2027 dhe pretendoi se në protestat në bulevard ka pasur përfshirje të elementëve të lidhur me regjimin iranian, për të cilët tha se ka fakte.
Deklarata e plotë e Ramës:
“Sa e ngjashme është Shqipëria me Serbinë dhe situatat atje me këtu, këtë mund ta konstatoni duke krahasuar qëndrimin e BE-së ndaj ndryshimit në Serbi dhe ndryshimeve të mëdha që ka bërë Shqipëria këtë vit. Janë dy realitete që s’kanë asgjë të përbashkët, pavarësisht përpjekjes për t’i bashkuar në funksion të një agjende që nuk është e BE-së, e qeverisë, por e atyre që duan të rrëzojnë qeverinë me dhunë.
Sa i takon pastaj mobilizimit të madh, e kam bërë dallimin mes protestave masive të fillimqershorit dhe degradimit më pas të bulevardit në një arenë sorrash dhe korbash, që nuk kishte se si të mos sillte te dhuna, sepse ishte e dhunshme pa qenë me gurë dhe molotovë, kur parrullë kishte ‘S’ka dialog, jep dorëheqjen’.
Legjitime në demokraci që ta mendojnë kështu, totalisht ilegjitime të përdoret guri dhe zjarri në funksion të këtij mendimi, por në funksion të protestave ne kemi bërë hapa të rëndësishëm për arsyet e mobilizimit qytetar.
Hapa në drejtim të transparencës. Me këtë rast kujtoj se kemi publikuar gjithçka lidhur me Zvërnecin dhe Sazanin dhe nuk kemi parë asnjë kontestim përmbajtësor, pasi gjithçka është në anën tonë sa i takon procesit të ndjekur, ligjshmërisë dhe moralit të republikës që ne përfaqësojmë.
Me buxhetin e ri kemi adresuar çështje të cilat lidhen me anën ekonomike të shqetësimeve të njerëzve, që nga realizimi i zotimit të kahershëm të uljes së TVSH-së për shportën në 6%, deri tek ulja e çmimit të naftës në pompë me 32 lekë, duke rispostuar taksën e qarkullimit tek automjeti, dhe të tjera gjëra.
Kam dëgjuar që është quajtur kthimi tek e majta ideologjike. Këta nuk dinë çfarë flasin. Është krijimi i mundësive për të rishpërndarë më shumë nga rritja ekonomike. Ajo që ka qenë prej kohësh objektivi dhe shqetësimi ynë kryesor, si të rishpërndajmë më shumë duke rritur ekonominë.
Nuk e bën e majta dhe e djathta vezën e kuqe, por vetëm ekonomia që na jep sot mundësitë. Ekonomia jonë rritet, ndryshe nga çfarë mund të thuhet, dhe rritja e saj na ka dhënë mundësinë të shpërndajmë masivisht me një paketë të re.
Ky është realiteti i fakteve, të tjerat janë si zhurmat e makinave.
Dua të them që unë i kam dëgjuar me më shumë vëmendje ata që kanë ardhur këtu poshtë çdo ditë. I kam dëgjuar sepse kam qenë i detyruar të dëgjoj, sepse ndërkohë që ata ulërinin, shanin, kërcënonin dhe kërkonin dorëheqjen duke thënë ‘S’ka dialog’, unë isha duke punuar me zërin e tyre në sfond.
Di gjithçka është thënë aty, se është përsëritur aq shumë sa e kam mësuar përmendësh. Di bejtet me muzikë, këngët fyese, por s’kam marrë dot shënim asnjë ide, asnjë program, opsion për Shqipërinë.
Përfitoj nga rasti për t’i risqaruar të gjithë, lidhur me faktin se në asnjë rast dorëheqja e një kryeministri të zgjedhur demokratikisht nuk imponohet nga rruga, por në rastin tim ka një specifikë tjetër që është ky këtu.
Kilometri i fundit i negociatave është i ndarë në 1000 metra dhe çdo metër është i ndarë në 100 cm dhe çdo cm do njeriun mbi kokë të fushës përkatëse, sepse këtu është e shkruar e zeza me të bardhë mbyllja e negociatave, objektiv ambicioz, por i arritshëm.
Nëse arrihet, arrihet duke u fokusuar këtu, jo duke humbur mendjen pas këngëve kërcënuese, gurëve, molotovëve dhe agjendave që kanë lidhje me këtë mision kombëtar.
Është e lehtë të bësh ironi me përfshirjen e aktorëve të huaj, por përfshirja e tyre është reale dhe nuk isha unë apo një përfaqësues i institucioneve tona, por një personalitet i Francës për ndërhyrjet malinje në vendet demokratike që para pak ditësh tha që Shqipëria ka qenë pjesë e kësaj lufte hibride.
S’kam thënë kurrë që protestat i organizoi Irani, por duar të regjimit kriminal të Teheranit janë në bulevard dhe janë me fakte.
Çuditërisht, ushtria dixhitale iraniane, e identifikuar prej nesh si shumë aktive në shpërndarje videosh me zogj, u shfaq aktive në goditjen e Parisit. Këto janë fakte.
Shkaku është këtu. Detyra jonë është të adresojmë shkakun. Por të jemi të vetëdijshëm çfarë po bëjmë, të shohim faktet, të pranojmë reciprokisht kush ka dhe s’ka të drejtë, në vend se të gëzohemi për viralitetin që u jep videove tona ndërhyrja e atyre që nuk e duan Shqipërinë këtu, që Shqipëria të fokusohet këtu, që 2027 të mbyllet me sukses, por duan që ne të merremi me historitë e panumërta që nxiten çdo ditë dhe pas të cilave rrotullohemi çdo ditë, ku gjëja më skandaloze, më e turpshme ka qenë justifikimi në kor i dhunës.”
Kryeministri Edi Rama i krahasoi me “zhurmat e makinave në bulevard” akuzat që Erion Veliaj i ka drejtuar nga burgu duke thënë se e ka kërcënuar përmes ministrit Toni Gogu dhe i ka kërkuar dorëheqjen nga Bashkia e Tiranës, duke i thënë se ai qëndronte pas protestave. Rama tha se qeveria është në krye të detyrës dhe po punon për objektivin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Rama: Dua të them që raporti i progresit është, në radhë të parë, pasqyrë e punës së qeverisë dhe kush do të dijë se në çfarë forme është qeveria, lexon raportin e progresit dhe e ka aty dëftesën e qeverisë. Një dëftesë që mua më gëzon. Sepse është shumë e qartë që Shqipëria ka bërë një progres të madh, të cilin, për fat të keq, shqiptarët nuk e konstatojnë dot nga ekranet dhe kanalet e dezinformimit publik.
Qeveria është në krye të detyrës dhe vazhdon të punojë, siç e kam thënë edhe më parë, çdo ditë, me pikërisht këtë objektiv për të cilin jemi mbledhur sot në këtë konferencë. Objektivin historik të bashkimit të vendit tonë me Europën dhe moslejimin e humbjes së një mundësie historike që e kemi krijuar me shumë punë, por që është ndihmuar edhe nga rreshtimi i yjeve në favor të Shqipërisë.
Të tjerat janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë e vijnë në bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju.
Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, tha se protestat paqësore janë pjesë e demokracisë, por dhuna nuk ka vend në të. Sipas saj, çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të jetë proporcional dhe në përputhje me ligjin. Ajo nënvizoi se pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes dialogut të mirëfilltë dhe se institucionet demokratike duhet të krijojnë hapësirën e nevojshme për këtë dialog.
“Ishin shqetësimet mjedisore ato që nxitën protestat paqësore të majit, që më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë që kërkonte transparencë dhe llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë. Protestat paqësore janë pjesë e jetës demokratike, por në këtë jetë demokratike dhuna nuk ka vend dhe çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të mbetet proporcional dhe në përputhje me ligjin. Dhuna nuk ka vend në jetën demokratike. Pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes dialogut të mirëfilltë, ndërsa ajo që u takon institucioneve demokratike është të krijojnë hapësirën e nevojshme për këtë dialog.”
Kryeministri Rama tha se progres-raporti i KE-së ka vlerësuar me nota pozitive punën e Shqipërisë, teksa vuri në dukje edhe problematikat e tij.
“Kush e njeh historinë e shtetit shqiptar dhe kthen kokën deri në vitin 2016, kur mori jetë reforma në drejtësi, kupton rëndësinë që ka ky raport. Raporti po ashtu vlerëson vonesën në gjykata, çështjet e korrupsionit, po kështu raporti ngre shqetësime serioze për funksionimin e institucioneve demokratike, lirinë e medias dhe mbrojtjen e mjedisit. Ai trajton edhe protestat e kohëve të fundit, duke vendosur gishtin te plagët e dhunës.
Kurse dialogu vlerësohet si dhuna, ku duhet të angazhohemi të gjithë seriozisht. Asnjë konstatim i progresraportit nuk mund të anashkalohet. E drejta për protestë duhet garantuar dhe dhuna duhet anashkaluar. Ndërsa dialogu është një etikë për bashkëjetesën demokratike dhe mazhoranca jonë e ka për detyrim që ta garantojë këtë”, tha Rama.
-
"Reformat kërkojnë konsensus politik" hahahaha, o ambasadore e di ti ku ke ardhur apo ke kohe endee...Cfare konsensusi thua ti kur asnje nisme, asnje propozim, asgje nuk miratohet nese nuk vjen nga socialistet. Pastaj dhe dicka; edi rama kerkoi shume vota ne zgjedhje qe askush te mos pengonte miratimin e nismave, ligjet dhe ja i ka 84 vota.
Përgjigju






Komente
Komento