Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka deklaruar se Raporti i Vendit i Bashkimit Evropian, i njohur më parë si Raporti i Progresit, i ka konfirmuar shqetësimet e vazhdueshme të AGK-së, shoqërisë civile dhe aktivistëve për gjendjen e lirisë së medias në Kosovë.
Rexha në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se një nga problemet kryesore që cenojnë lirinë e medias janë sulmet ndaj gazetarëve nga zyrtarët e lartë qeveritarë, deputetët dhe përfaqësuesit e politikës.
Ai ka mirëpritur faktin që në raportin e BE-së është identifikuar edhe kryeministri Albin Kurti për përdorimin e gjuhës së papërshtatshme dhe sulmet ndaj mediave.
“Një prej problemeve kryesore që cenojnë rëndë lirinë e medias në Kosovë janë sulmet që vijnë nga ana e zyrtarëve të lartë qeveritarë, nga ana e deputetëve dhe nga ana e politikës. Dhe neve na vjen mirë në fakt që identifikohet kryeministri i Kosovës si një prej atyre që përdor gjuhë të papërshtatshme dhe sulmon median për punën e tyre. Kjo natyrisht duhet t’i shërbejë kryeministrit Kurti për të reflektuar, sepse nuk i bën nder Kosovës që në raportin e vendit, raportin e progresit të identifikohet kryeministri i vendit si dikush që i sulmon median dhe gazetarët për punën e tyre”, tha Rexha.
Ai ka bërë thirrje që kryeministri Kurti dhe përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje! të përmbahen nga deklaratat sulmuese ndaj gazetarëve, të cilat, sipas tij, nxisin denigrimin e tyre në hapësirën online. Rexha ka theksuar se shpeshherë cak i këtyre sulmeve janë gazetaret gra.
“Njëherë shpresoj që kryeministri Kurti të reflektojë, ai bashkë me njerëzit e tij në Vetëvendosje!, që të mos japin deklarata të tilla sulmuese për gazetarët, që shërbejnë pastaj për të inicuar një valë të re të denigrimit online kundër gazetarëve, ku shpeshherë janë gazetarët gra”, theksoi ai.
Rexha ka folur edhe për çështjet e tjera të përfshira në raportin e BE-së, përfshirë rastet e sulmeve ndaj gazetarëve dhe ekipeve të tyre, arrestimin gjatë vitit të kaluar të së paku një punëtori të medias, si dhe procesin e zgjedhjes së bordeve të KPM-së dhe RTK-së, për të cilin ka pasur kritika nga shoqëria civile për mungesë transparence.
Ai ka mirëpritur gjithashtu thirrjen e BE-së për një ligj të ri për transmetuesin publik, duke theksuar se sipas AGK-së RTK-ja vazhdon të jetë mjet propagandues i qeverisë dhe se pavarësia financiare është e rëndësishme për të siguruar edhe pavarësinë editoriale.
Duke folur për pengesat me të cilat përballen gazetarët gjatë raportimit, Rexha ka thënë se mbrojtja e afërt e zyrtarëve të lartë publikë, përfshirë kryeministrin Kurti dhe më herët presidenten Vjosa Osmani, në raste të caktuara është bërë pengesë për punën e gazetarëve.
“Po, ne kemi regjistruar shumë raste në të cilat mbrojtja afër e kryeministrit Kurti, e më herët edhe e presidentës Osmani ose të zyrtarëve të tjerë publikë, janë bërë pengesa kryesore për gazetarët. Një kohë të gjatë kryeministri Kurti, sidomos në kohën e krizës dhe në zgjedhjen e presidentit, i është shmangur deklaratave për media, nuk ka mbajtur konferenca, është shmangur dhe mënyra e vetme e gazetarëve për të marrë reagimet e tij ka qenë në evente të tjera publike. Ka pasur raste ku Policia e Kosovës ka vepruar në mënyrë joprofesionale duke i shtyrë ekipet e gazetarëve, të cilët ne i kemi denoncuar, i vazhdojmë t’i dënojmë”, potencoi ai.
Në fund, kryetari i AGK-së i ka bërë thirrje Qeverisë dhe institucioneve që të tregojnë më shumë transparencë dhe të mundësojnë punën e lirë të gazetarëve.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë, institucioneve për më shumë transparencë dhe për lejimin e bërjes së të gjitha pyetjeve nga ana e gazetarëve, sepse puna e tyre është në interes të publikut”, ka potencuar Rexha.
Ndryshe, Komisioni Evropian ka publikuar me 4 nëntor raportin për Kosovën për vitin 2026 në të cilin ka evidentuar një sërë shqetësimesh për gjendjen e lirisë së medias dhe shprehjes në vend.
Ndonëse vlerëson se Kosova ka garanci të përshtatshme ligjore për lirinë e shprehjes, KE-ja thekson se mjedisi për funksionimin e lirë, të pavarur dhe profesional të mediave duhet të përmirësohet.
Sipas raportit, gjatë periudhës raportuese janë regjistruar 35 raste të sulmeve fizike dhe verbale apo kërcënimeve ndaj gazetarëve, numër ky që paraqet rënie të konsiderueshme krahasuar me vitin paraprak.
Në mesin e rasteve të evidentuara janë pengimi i punës së gazetarëve nga zyrtarët e sigurisë, si dhe akuzat dhe gjuha e ashpër e përdorur nga zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, ndaj gazetarëve dhe mediave.