Nga shpërthimi humbi jetën edhe një 82-vjeçare, e cila banonte në apartamentin ngjitur me atë ku ndodhi ngjarja. Dhjetë persona të tjerë pësuan asfiksi dhe morën ndihmë mjekësore në spital, ndërsa fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Shpërthimi shkaktoi dëme të rënda strukturore, duke shembur muret e apartamentit dhe shkallët e pallatit, ndërsa tre kate të ndërtesës u bashkuan në një.
Godina është shpallur e pabanueshme, ndërsa të gjithë banorët janë evakuuar nga ekipet e emergjencës. Autoritetet po marrin masa për sistemimin e tyre, ndërkohë që vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit. Dyshimet paraprake janë për një bombol gazi, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar mbi rrethanat që çuan në tragjedinë me dy viktima në Elbasan.