Si do të ndikojnë ulja e TVSH-së për ushqimet dhe heqja e taksës së qarkullimit në çmime? Shqyrtohet mundësia që Bordi i Transparencës të jetë i përhershëm Shqipëria renditet e para ndër vendet europiane për peshën më të lartë të automjeteve me motorë mbi 2,000 kubikë.
Sipas të dhënave të Eurostat, rreth 30% e totalit të automjeteve në vend, ose afërsisht 300 mijë mjete, i përkasin kategorisë me fuqi të lartë motorike. Nga totali i automjeteve mbi 2,000 kubikë, 27.8% janë me naftë dhe 2.4% me benzinë.
Preferenca e shqiptarëve për makinat me motorë mbi 2,000 kubikë lidhet me çmimet e përballueshme të automjeteve të përdorura të importuara, kryesisht nga Gjermania, Zvicra dhe Italia, ku taksat dhe sigurimet për motorët e mëdhenj janë të larta.
Në këtë preferencë ndikojnë gjithashtu perceptimi i makinës si simbol statusi, nevoja për automjete më të fuqishme në zonat me terren të vështirë, si dhe fakti që historikisht rrugët në Shqipëri kanë qenë të dëmtuara, ndonëse vitet e fundit situata është përmirësuar.
Kjo preferencë për makinat me fuqi të lartë motorike pritet të penalizojë një numër të konsiderueshëm përdoruesish të automjeteve. Sipas ndryshimeve të propozuara në projektligjin “Për taksat kombëtare”, pronarët e këtyre mjeteve pritet të përballen me rritjen më të madhe të detyrimit për taksën vjetore të mjeteve të përdorura.
Propozimet e paketës fiskale parashikojnë për herë të parë dy nivele taksimi, në varësi të madhësisë së motorit. Duke marrë në konsideratë edhe numrin e lartë të këtyre automjeteve, për mjetet me fuqi motorike mbi 2,000 cc propozohet një taksë fikse për karburantin më e lartë se ajo për kategoritë e tjera.
Aktualisht, taksa fikse për llogaritjen e detyrimit vjetor të mjeteve është 12.5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën, pa dallim sipas cilindratës.
Me propozimin e ri, për automjetet me motor mbi 2,000 cc, taksa fikse do të jetë 26 lekë për naftën dhe 21 lekë për benzinën. Ndërsa për automjetet me cilindratë deri në 2,000 cc, përfshirë edhe autoveturat, taksa fikse propozohet të jetë 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Krahas taksës fikse, ndryshojnë edhe koeficientët e vjetërsisë së mjeteve.
Monitor ka përllogaritur detyrimin e ri për autoveturat me fuqi motorike 2,500 cc. Sipas llogaritjeve, duke përfshirë edhe koeficientët e rinj të viteve të përdorimit të mjeteve, të cilët janë rishikuar, detyrimi vjetor për pronarët e autoveturave me naftë, në varësi të moshës së mjetit, do të rritet nga 80% deri në 289%. Për makinat me benzinë, rritja e detyrimit varion nga 65% deri në 236%.
Për të dyja kategoritë, rritja më e madhe do të ndihet te automjetet e vjetra, me moshë 30-vjeçare.
Sa do të rritet detyrimi për mjetet mbi 2 mijë kubikë? Shembujt
Për një autoveturë me naftë, 4-vjeçare dhe me motor 2,500 cc, detyrimi vjetor aktualisht është 5,625 lekë. Pas ndryshimeve fiskale, detyrimi arrin në 13,650 lekë, ose 8,025 lekë më shumë, me një rritje prej 80%.
Për një autoveturë 10-vjeçare me naftë, të prodhuar në vitin 2016, detyrimi për taksën vjetore nga 7,500 lekë që paguhet aktualisht do të arrijë në 21,450 lekë. Kjo përfaqëson një rritje prej 140%.
Edhe pronarët e makinave me benzinë do të përballen me një rritje të konsiderueshme, megjithëse më të ulët se ajo e makinave me naftë.
Për makinat me benzinë 10-vjeçare, detyrimi nga 6,000 lekë që është aktualisht llogaritet të arrijë në 17,325 lekë për autoveturat me 2,500 cc. Në vlerë, detyrimi rritet me 11,325 lekë, ose 111%.
Për automjetet me benzinë 30-vjeçare, detyrimi vjetor do të arrijë në 43,050 lekë, nga 19,500 lekë që është aktualisht. Rritja në vlerë do të jetë 23,550 lekë, ose 236%.
Detyrimi rritet edhe për makinat deri në 2 mijë kubikë
Sipas ndarjes së fuqisë motorike që Eurostat bën për automjetet, në Shqipëri 40% e totalit i përkasin fashës nga 1,400 deri në 1,999 kubikë, ndërsa 5.5% e tyre janë nën fashën e 1,399 kubikëve.

Monitor ka përllogaritur detyrimin e ri edhe për autoveturat me cilindratë deri në 2,000 cc, si për makinat me naftë, ashtu edhe për ato me benzinë. Në përllogaritje janë marrë në konsideratë mosha e mjetit, niveli i ri i taksës fikse të propozuar për karburantin dhe koeficientët e rinj të viteve të përdorimit.

Sipas përllogaritjeve, detyrimi i taksës vjetore për makinat me naftë deri në 2,000 cc do të rritet nga 71% deri në 175%, në varësi të moshës së automjetit. E njëjta rritje, nga 71% deri në 175%, parashikohet edhe për makinat me benzinë.
Niveli aktual i taksës fikse
Taksa fikse për llojin e karburantit është 12.5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën. Koeficienti sipas vjetërsisë së mjetit përcaktohet në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij ligji, e cila është pjesë përbërëse e tij.
Mjetet me vjetërsi nga 0 deri në 3 vjet nuk janë subjekt i kësaj takse.
Propozimi për ndryshimet e taksës fikse
Sipas propozimit për ndryshimet ligjore:
Taksa fikse për llojin e karburantit propozohet të jetë 25 lekë për naftën, 20 lekë për benzinën dhe 20 lekë për gazin, për mjetet me vëllim deri në 2,000 cm³, për autoveturat, motomjetet ATP (sipas grupit I të koeficientit të vjetërsisë) dhe të gjitha mjetet e tjera APV (sipas grupit II të koeficientit të vjetërsisë).
Taksa fikse për llojin e karburantit propozohet të jetë 26 lekë për naftën, 21 lekë për benzinën dhe 21 lekë për gazin, për mjetet me vëllim më të madh se 2,000 cm³, për autoveturat, ATP (sipas grupit I të koeficientit të vjetërsisë) dhe të gjitha mjetet e tjera APV (sipas grupit II të koeficientit të vjetërsisë).Monitor/
Top Channel