Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit në BE nuk e pasqyron progresin e bërë

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri  Albin Kurti ka vlerësuar se pozita e Kosovës e procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk e pasqyron progresin që e ka bërë ajo si shtet.

Në konferencën e përbashkët me ambasadorin e BE-së në Kosovë Dirk Schuebel, pasi që ka pranuar Raportin e Progresit për Kosovën të Komisionit Evropian, Kurti ka thënë se Kosova meriton të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim dhe të fillojë negociata sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ai ka thënë se këtë e kanë theksuar në secilin takim me zyratrët e lartë të BE-së dhe të shteteve anëtare.

Kurti ka thënë se integrimi në BE mbetet prioritet strategjik afatgjatë i Qeverisë. Ai ka theksuar se përkushtimi për anëtarësim gëzon mbështetje te popullsia dhe se për të ka konsensus të gjerë ndërpartiak.

“Nuk mund ta lëmë pa e thënë se pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk e pasyqron progresin që e kemi bërë. Siç e kemi theksuar në të gjitha takimet dhe vizitat, në të gjitha nivelet dhe rastet ku na është dhënë mundësia … Kosova meriton të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim dhe të fillojë negociata sa më shpëjt që të jetë e mundur”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se edhe një muaj bëhen 4 vjet që kur Kosova e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se përkundër kësaj Kosova ende mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status të vendit kandidat për anëtarësim.

“Përveç përkrahjes politike nga Komisioni Evropian për të nisur procesin teknik, ende nuk ka pasur ndonjë lëvizje nga shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për t’i dhënë Komisionit mandatin politik për të nisur këtë proces”, ka deklaruar Kurti, duke i kërkuar ambasadorit Schuebel që sa më parë Kosovës t’i dorëzohet pyetësori rreth aplikimit, në mënyrë që të hapet rruga për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim.  

“Tani që kemi institucione stabile dhe funksionim demokratik, kemi përshpejtuar dinamiken e reformave për integrim në BE, në veçanti të reformave prioritare të Planit të Rritjes. Më lejoni të ritheksoj përkushtimin tonë si Qeveri dhe si shoqëri për anëtarësim të plotë të Kosovës në BE”, është shprehur Kurti. 

Schuebel: BE-ja është krah jush, të vazhdohet me punën drejt synimit të përbashkët

4 o. më parë / 4 nën 2026 19:17
Dirk Schuebel

Photo: Driton Paçarada

Shefin i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadori Dirk Schuebel, ka thënë se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën është për periudhat 1 shtator 2025 dhe 1 shtator 2026, në një periudhë kur kishte kryesisht ngërç institucional dhe kishte tri palë zgjedhje në 16 muaj. 

Ai ka thënë se është logjike që ritmi i reformave ishte i ngadalshëm dhe u reflektua. Por, Schuebel ka thënë se Kosova tash ka institucionale plotësisht funksionale për të ecur para me reformat. 

Schuebel ka thënë se në raport shihet se edhe në vitet e vështira, progresi është i mundur. Ai ka përmendur si gjëra pozitive organizimin e zgjedhjeve të lira, paqësore dhe gjithëpërfshirëse. Po ashtu avancimin e nivelit të përgatitjes në luftë kundër krimit të organizuar. Po ashtu përmendi reformat në administratë publike, liri dhe siguri e lirinë e lëvizjes së kapitalit. 

Ambasadori i BE-së ka thënë se raporti tregon se në gjyqësor dhe të drejtat themelore në është bërë progres domethënës. Ai ka thënë se duhet të bëhen reforma në drejtësi dhe se po punohet ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë për t’u bërë kjo. 

Schuebel ka përmendur edhe çështjen e Dhomave të Specializuara. 

“Mandati i Dhomave të Specializuara, që është aktualisht në fuqi, duhet respektuar, në linjë me obligimte ndërkombëtare dhe respektimin e plotë të pavarësisë së gjyqësorit dhe sundimit të ligjit”, tha Schuebel. 

Ai në konferencë për media ka thënë se edhe liria e shprehjes duhet përmirësuar, ndërsa tha se duhet përditësuar korniza legjislative, përfshirë edhe ligjet për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe atë për RTK-në. 

Ka thënë se duhet luftim kredibil kundër korrupsionit dhe adoptim të një strategjike anti-korrupsion në linjë me standardet evropiane. 

Po ashtu tha se Kosova duhet më tepër të linjëzohet me rregullat e BE-së, sa i përket mjedisit, ndryshimeve klimatike, agrikulturës dhe sigurisë së ushqimit. 

“Këto nuk janë vetëm kërkesa të BE-së, por themele të një shoqërie prosperuese”, tha Schuebel. 

Schuebel ka përmendur si gjë pozitive rreshtimin e plotë të Kosovës me politikën e jashtme të BE-së. 
“Kjo tregon përkushtimin tuaj për vlerat evropiane”, tha ai. 

Ndërkohë për dialogun Kosovë – Serbi, ai ka thënë se zbatimi i të gjitha obligimeve që derivojnë nga dialogu është pjesë integrale e rrugës evropiane të Kosovës. 

“Kemi dinamikë të re rajonale, ta shfrytëzojë Kosova këtë”, tha ai. 

Schuebel ka thënë se “BE-ja është në anën e Kosovës dhe përkrah angazhimin e saj për të punuar drejt synimit të përbashkët”. 

“Një Kosovë stabile, multietnike e prosperuese brenda BE-së”, tha ai. 

Schuebel ka thënë se BE-ja e trajton Kosovën si të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa ka shprehur optimizëm se Kosova mund të ecë para për t’iu afruar synimit për t’u bërë shtet kandidat.