Komandanti i Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ) të Serbisë, Igor Zhmiric, është arrestuar të martën në Beograd, me urdhër të Prokurorisë së Parë Themelore. Arrestimi lidhet me hetimet për keqtrajtimin e studentëve dhe qytetarëve gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytetin serb.
Sipas mediumit serb “Nova.rs”, Zhmiric është njëri nga pesë personat e ndaluar gjatë një operacioni të gjerë të inspektorëve të Sektorit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë. Përveç tij, në pranga kanë përfunduar edhe katër ish-pjesëtarë dhe pjesëtarë aktualë të Njësisë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve (JZO).
Sipas informacioneve jozyrtare të publikuara nga “Nova.rs”, të arrestuarit dyshohet se kanë qenë të përfshirë në ndërhyrjet policore të muajve korrik dhe gusht 2025, në bulevardin “Kralja Aleksandra”, pranë Fakultetit Juridik në Beograd.
Gjatë këtyre operacioneve, disa studentë u lënduan dhe u shoqëruan në polici. Në njërin prej rasteve, forcat policore hynë edhe në ambientet e Fakultetit Juridik, veprim që ngriti shqetësime për cenimin e autonomisë universitare.
Ndaj Zhmiricit ishte paraqitur më herët një kallëzim penal, ku ai akuzohej për pjesëmarrje në arrestimin dhe keqtrajtimin e studentëve dhe qytetarëve gjatë protestave të 14 gushtit 2025 në Beograd.
Zhmiric e kishte nisur karrierën në Njësinë për Operacione Speciale (JSO), për të vijuar më pas në Xhandarmëri, Njësinë Kundër Terrorizmit dhe Njësinë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve, ku kishte shërbyer si zëvendëskomandant.
Pas shkarkimit të Spasoje Vuleviqit, Zhmiric ishte emëruar në krye të Njësisë Speciale Antiterroriste të Serbisë. Sipas “Nova.rs”, arrestimet janë pjesë e hetimeve për veprimet e forcave policore ndaj studentëve dhe qytetarëve gjatë protestave.

