Kreu i grupit parlamentar të PD-së Bardhi ka denoncuar sjelljen e policisë ndaj proptestuesve paqësorë mbrëmjen e sotme para kryeministrisë.
Ai shkruan se çdo përpjekje e policisë për të penguar të drejtën për të protesdtuar është cenim i papranushëm i lirive dhe të drejtave themelore.
Bardhi i kërkon policisë të ndalë menjëherë dhunën ndaj qytetarëve paqësorë ndërsa paralajmëron se çdo veprim i paligjshëm do marrë përgjigjen e duhur ligjore.
“E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare. Ajo nuk mund të cenohet, të intimidohet apo të shuhet përmes dhunës policore, shoqërimeve të paligjshme në komisariate apo vendosjes së gjobave në kundërshtim me ligjin. Çdo përpjekje për të penguar qytetarët në ushtrimin e kësaj të drejte përbën një cenim të papranueshëm të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit të ndalë menjëherë çdo praktikë të tillë dhe të përmbushë detyrimin e saj ligjor për të garantuar ushtrimin e lirë dhe paqësor të së drejtës për protestë dhe tubim për çdo qytetar. Policia nuk duhet të jetë instrument presioni apo intimidimi ndaj qytetarëve që ushtrojnë një të drejtë kushtetuese. Çdo shkelje, çdo pengim i paligjshëm dhe çdo akt dhune ndaj protestuesve duhet të hetohet dhe të mbajë përgjegjësi përpara ligjit.
Njëkohësisht, i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe partnerëve të Shqipërisë që të mbajnë një qëndrim të qartë dhe publik ndaj këtyre praktikave, të cilat bien ndesh me standardet demokratike dhe angazhimet ndërkombëtare që Shqipëria ka marrë përsipër të respektojë. Mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore nuk mund të jetë çështje e interesave politike apo e rrethanave të momentit.
Heshtja përballë cenimit të lirive themelore nuk është neutralitet. Ajo rrezikon të kthehet në mbështetje të heshtur për abuzimin me pushtetin. Në një demokraci, zëri i qytetarit nuk shuhet me dhunë, nuk frikësohet me gjoba dhe nuk ndalet me shoqërime policore. E drejta për të protestuar duhet të garantohet, jo të ndëshkohet.” – shkruan Bardhi në Facebook.