Manchester City mund të përballet me një tjetër hetim për financat e tij. Disa klube të Premier League po kërkojnë nisjen e një procesi të ri investigimi, këtë herë duke u përqendruar te periudha pas vitit 2018.
Sipas raportimit të gazetës britanike “The Independent”, drejtuesit e disa klubeve rivale kanë ngritur dyshime mbi marrëveshjet e sponsorizimit të Manchester Cityt, të cilat ishin në qendër të hetimit të mëparshëm. Ata kërkojnë të verifikojnë nëse këto marrëveshje kanë ndryshuar realisht pas vitit 2018.
Megjithatë, brenda Premier League nuk ka një qëndrim të përbashkët për këtë çështje. Disa klube janë të gatshme të mbështesin një hetim të ri, ndërsa të tjera hezitojnë të përfshihen në një tjetër betejë të gjatë ligjore, e cila mund të dëmtojë më tej imazhin dhe reputacionin e kampionatit anglez.
Një tjetër pengesë lidhet me provat. Disa drejtues kanë shqetësime se mund të mos sigurohet dokumentacioni i nevojshëm për të mbështetur akuza të reja. Ndërkohë, ka edhe klube që e shohin mundësinë e një hetimi të mëtejshëm si një mjet presioni në konfliktin aktual.
Nga ana e tij, Manchester City i ka mohuar vazhdimisht akuzat për shkelje financiare dhe këmbëngul se nuk ka kryer asnjë veprim të paligjshëm. Në rast se nis një hetim i ri, ai do të ishte i ndarë nga procedurat që janë aktualisht në zhvillim. Çdo masë apo sanksion i mundshëm ndaj klubit do të varej nga rezultatet e procesit përkatës ligjor.
