BSH organizon konferencën e 8-të ndërkombëtare mbi skemat rajonale të kartave dhe infrastrukturat e tregut financiar me vlerë të vogël

4 Nëntor 2026 | 14:33

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Shoqatën Evropiane të Pagesave me Kartë, organizon më 4–5 nëntor 2026, në Tiranë, konferencën e 8-të ndërkombëtare mbi skemat rajonale të kartave dhe infrastrukturat e tregut financiar me vlerë të vogël. Aktiviteti, që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, ka mbledhur 260 përfaqësues nga 85 vende të botës, përfshirë banka qendrore, institucione financiare dhe aktorë të industrisë së pagesave.

Në hapje të konferencës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi progresin e vendit në modernizimin e sistemit të pagesave. Sipas tij, pagesat digjitale për frymë kanë arritur në 29 në vit, nga vetëm 5 një dekadë më parë, ndërsa kartat bankare në qarkullim kanë kapur shifrën 1.6 milionë. Për herë të parë, gjatë vitit 2025, kartat u përdorën më shumë për pagesa sesa për tërheqje cash.

Sejko veçoi gjithashtu përfitimet nga anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, ku transfertat në euro drejt vendeve pjesëmarrëse kushtojnë deri në 20 herë më pak, me kursime të pritshme për ekonominë mbi 71 milionë euro në vit.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është projekti rajonal TIPS Clone, i cili synon mundësimin e transfertave të menjëhershme, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, me funksionalizim të parashikuar brenda vitit 2026.

Në kuadër të konferencës, Guvernatori Sejko zhvilloi edhe një takim me përfaqësues të lartë të Bankës Botërore, ku u diskutua mbi bashkëpunimin për modernizimin e infrastrukturës së pagesave, mbikëqyrjen bankare dhe thellimin e integrimit financiar evropian.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore vlerësuan progresin e Shqipërisë në fushën e pagesave dhe reformat e ndërmarra, duke e cilësuar vendin si një shembull pozitiv për transformimin e sektorit financiar në rajon.

Konferenca synon të nxisë shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për zhvillimin e sistemeve të pagesave më të shpejta, të sigurta, efikase dhe gjithëpërfshirëse.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Ulja e TVSH-së për produktet e shportës”, Malaj: Po shqyrtojmë një bord të përhershëm transparence

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se do të ketë monitorim të shtuar edhe për produktet ushqimore, në kuadër të uljes...
11:54 | 04/11/2026

TVSH-ja nga 6% në 10%, operatorët turistikë në Vlorë kërkojnë të rishikohet vendimi

Nga 1 janari 2027, TVSH-ja për njësitë hoteliere pritet të rritet nga 6% në 10%. Ky ndryshim kundërshtohet nga operatorët turistikë në Vlorë, të cilët...
19:17 | 03/11/2026

Projektbuxheti dhe paketa fiskale, Ibrahimaj: Lehtësojmë TVSH-në e ushqimeve për t’u ardhur në ndihmë familjeve

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e ftuar në “Now” me Thimi Samarxhiun, shpjegoi projektbuxhetin dhe paketën fiskale, duke u ndalur te ndryshimet në...
14:55 | 02/11/2026