Një qytetar nga zona e Shkallnurit, në Durrës, denoncon përmes kësaj videoje një problem shqetësues që vijon prej afro një muaji.
Sipas qytetarit, uji rrjedh vazhdimisht në rrugë, ndërsa pavarësisht telefonatave dhe përpjekjeve për të kontaktuar Ujësjellës-Kanalizime Durrës, askush nuk ka ardhur për të riparuar defektin. Madje, sipas tij, as telefonatat nuk marrin përgjigje.
Qytetari shprehet se ka një biznes automjetesh në këtë zonë dhe se për shkak të ujit të grumbulluar nuk arrin as të hapë normalisht derën e biznesit, pasi këmbësorët dhe klientët detyrohen të kalojnë nëpër ujë.
"Taksat i paguajmë siç i duan ata, por shërbimi është zero!", shprehet i revoltuar qytetari.
Përmes këtij denoncimi, ai kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të Ujësjellës-Kanalizime Durrës për riparimin e defektit dhe ndalimin e shpërdorimit të ujit.