Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se BE-ja është e gatshme të mbështesë qeverinë e re të Serbisë për të ndërmarrë reformat e nevojshme, duke theksuar se përparimi në procesin e integrimit evropian kërkon përmbushjen e kushteve themelore.

Gjatë fjalës së saj në Parlamentin Evropian, ku prezantoi paketën e zgjerimit të BE-së, Kos u ndal te situata në Serbi, duke bërë të ditur se kishte zhvilluar një takim me përfaqësues të Listës Studentore serbe, me të cilët kishte diskutuar për një sërë çështjesh.

Në këtë drejtim, komisionerja theksoi se Bashkimi Evropian kërkon nga Serbia përparim konkret në luftën kundër korrupsionit, garantimin e lirisë së medias dhe përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. “Ne jemi të gatshëm të mbështesim qeverinë e re të Serbisë për të bërë gjërat e duhura, për të ndërtuar shtetin e së drejtës dhe për të garantuar parimet themelore demokratike”, u shpreh Kos.

Ajo nënvizoi gjithashtu se një nga sfidat kryesore mbetet rindërtimi i besimit mes Serbisë dhe vendeve anëtare të BE-së, duke theksuar se ky është një proces ku duhet të angazhohet edhe vetë Bashkimi Evropian. Sipas saj, vetëm pasi të krijohet ky besim dhe të ndërmerren reformat e kërkuara, Serbia mund të ecë përpara në procesin e integrimit evropian. “Ne duhet të ndërtojmë besimin që aktualisht mungon mes Serbisë dhe vendeve anëtare. Është detyra jonë të ndihmojmë në rindërtimin e këtij besimi. Kur kjo të ndodhë, do të mund të ecim përpara me procesin e integrimit”, theksoi komisionerja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: